Deklarata e Kurtit dhe Vuçiqit për Personat e Zhdukur

02 maj 2023 | 19:39

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e sotëm në Bruksel miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë, raporton Rel.

Deklarata:

Duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur dhe për të nxitur pajtim dhe paqe të qëndrueshme,

Duke pasur parasysh se kjo Deklaratë ndjek mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për Personat e Zhdukur, që përfshin personat e zhdukur me forcë,

Duke kujtuar se të gjitha kategoritë e personave të zhdukur, do të trajtohen me prioritet të barabartë,

Duke njohur punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga KNKK,

Duke inkurajuar bashkëpunimin me aktorë të tjerë relevantë në fushën e personave të zhdukur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP),

Duke e njohur çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare,

Duke vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë për të lehtësuar vuajtjet e familjeve,

Ne angazhohemi bashkërisht,

Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur,

Për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe për të pasuar më pas gërmimet,

Për të siguruar qasjen e plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen Personat e Zhdukur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet, dhe çdo dokument tjetër përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar, nën posedimin e institucioneve të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst,

Të vihen në dispozicion gjitha dokumentet vendore dhe ndërkombëtarë me rëndësi për përcaktimin e fatit të Personave të Zhdukur, për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji tjera në zbulimin e varreve masive.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati dhe drejtoresha e…