Deklarata e Kurtit se ka kuptuar më shumë për dialogun në Bruksel sesa në Prishtinë, e padinjitetshme
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka quajtur deklaratë të padinjitetshme të kryeministrit Albin Kurti, i cili dje ka thënë se më shumë po merr vesh në Bruksel për dialogun sesa që ka gjetur dokumente në Prishtinë.
Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se Kurti i ka të gjitha raportet në kryeministri dhe se vetëm duhet t’i kërkoj ato.
“Kurti e ka dokumentin e hartuar në kryeministri veç duhet me e lypë. E ka raportin e të gjitha marrëveshjeve të deritanishme. Është e padinjitetshme që këto deklarata të bëhen prej Brukselit. Le ta lypë të zyra e sekretarit, i ka të gjitha”, ka thënë Tahiri, duke thënë se në temat nacionale siç është dialogu duhet të ketë qasje serioze.
“AAK-ja e konsideron shumë të rëndësishëm konsultimin me partitë opozitare dhe informimin në Kuvend. Askush nuk ka ekskluzivitet në këtë temë as Kurti dhe askush tjetër për të pasur sukses në këtë temë duhet të ketë qasje serioze dhe jo selektive”, është shprehur Tahiri.