Deklarata e Liburn Aliut “Kosova shtet i pavarur është projekt i përkohshëm” nxit reagime të shumta

01 dhjetor 2023 | 12:40

Deklarata e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, se “Kosova është projekt i përkohshëm”, ka nxitur reagime të shumta në vend.

Përfaqësues të partive politike opozitare, të shoqërisë civile dhe gazetarë nuk e kanë parë si deklaratë të mençur.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, në emisionin “Zanat” në T7, i cili është transmetuar të enjten në mbrëmje, ka theksuar se Kosova është një projekt i përkohshëm, duke iu referuar aspiratës për bashkim me Shqipërinë.

“Unë e shoh sot Kosovën më shumë si një projekt të përkohshëm. Cilat janë elementet që sot përpiqen për të krijuar kombin kosovar? Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e një vendi multi-etnik. Pra çfarë është kosovari? A është kosovari shqiptar apo diçka tjetër. Nëse do të krijonim një komb kosovar që do të synonte një përzierje të etnive, është një tendencë e cila nuk e di sa do të ketë sukses dhe nuk është duke pasur sukses”, ka thënë Aliu, duke shtuar se projekti Kosova shtet i pavarur është një projekt i përkohshëm.

“Unë mendoj që projekti Kosova shtet i pavarur është një projekt i përkohshëm, i cili ka me marrë një rrugë. Rruga është normale, pra zhvillimi ekonomik, qarkullimi i vazhdueshëm brenda gjithë Ballkanit, do ta kthejë në vendin e vet situatën ku do të shuhen të gjitha ato shovinzimat e të gjithë do të ktheheshin në vendin e vet”, ka thënë Aliu.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në reagimin e tij ndaj deklaratës së ministrit Aliu ka theksuar se çfarë të duhen kundërshtarët e jashtëm, kur i ke të brendshmit, raporton “Epoka e re”.

Ai ka thënë se Republika e Kosovës sot udhëhiqet nga popullistë mosbesues të saj. “Fati i projektit më të madh shqiptar, ‘Kosova shtet i pavarur e sovran’ është në duar të mohuesve të vet shtetësisë. Prandaj betimi mbi Republikë është farsë. Prandaj shkelja e Kushtetutës bëhet zakonshmëri. Sepse mosbesimi ndaj Kosovës është bindje. Këta kanë atdhe të dytë. Ne kemi vetëm Kosovën”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.

Ai ka shtuar se LDK-ja si formacion i vetëm pavarësist, beson në Republikë. “Fëmijët tanë meritojnë të besojnë në Republikë! Në shtetin që prindërit e gjyshërit e tyre nuk e kishin por ua kanë lënë me plot sakrificë. Në shtetin që në vend të mbytjes së ëndrrave e dhënies së pasigurisë u jep shpresën se një ditë do të jenë të barabartë mes popujve e shteteve euroatlantik! Prandaj dhe zgjedhja juaj është fare e lehtë. Sepse Kosova është e përhershme”, ka thënë Abdixhiku.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se nuk mundesh me e dashtë Shqipërinë duke e urrejtë Kosovën. “Qeveritë janë të përkohshme. Kosova është e përjetshme”, ka shkruar Çitaku në “Facebook”.

Ndërsa, deputetja nga radhët e PDK-së, Eliza Hoxha, i është referuar deklaratës së Aliut, duke thënë se “Kështu e shohin Kosovën, njerëzit që i keni votuar 51%”.

Opinionisti Imer Mushkolaj e ka quajtur Aliun “politikan sharlatan” si dhe “dështak e demagog të gërditshëm”, pas kësaj deklarate. “Qe një politikan sharlatan, i cili nuk i beson shtetit të cilit do të duhej t’i shërbente. Nëse ky nuk i beson shtetit të vet, qysh me i besu qytetarët këtij dhe të tjerëve si ky, që kanë me e kry ndonjë punë t’hajrit, që e çojnë këtë vend përpara. Një dështak e demagog i gërditshëm”, ka shkruar Mushkolaj në “Facebook”.

Ndërsa gazetari Ilir Mirena duke iu referuar deklaratës së Aliut, ka thënë se “Ju jeni të përkohshëm, Kosova është e përjetshme…”, ka shkruar Mirena në “Facebook”.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, edhe të premten ka vazhduar t’i qëndrojë mbrapa deklaratës së dhënë një ditë më parë se shteti i pavarur i Kosovës është projekt i përkohshëm.

Aliu në një prononcim për “Klankosova.tv” ka pohuar se për të Kosova është proces kalimtar drejt bashkimit me Shqipërinë. “E konfirmoj që për mua Kosova, në rrethanën në të cilën është, me Kushtetutë e këto gjëra, është projekt i përkohshëm. Është proces kalimtar drejt bashkimit me Shqipëri. Sqarimet më tej i bëjmë bashkë kur të kthehem në Kosovë”, ka thënë Aliu.

Kryeministri Albin Kurti kur është pyetur të premten nga gazetarët për deklaratën e ministrit të tij ka thënë se nuk e ka parë emisionin. “Nuk po më duket e përshtatshme që unë të bëj komente të emisioneve televizive, të cilat nuk i kam parë”, është shprehur Kurti.

Megjithatë nga informacionet e marra nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, Kurti ka deklaruar se ka kuptuar që emisioni në fjalë ka qenë i natyrës festive për nder të 28 Nëntorit.

“Zëdhënësi im Përparim Kryeziu më tha që ai (Liburn Aliu) ka qenë një emision festiv në ditët e festës së flamurit dhe pavarësisë së 28 Nëntorit. Sot këtu në Gjilan jemi për punë, të cilat po bëhen për qytetarët për të mirën e tyre dhe besoj që ky është përqendrimi sot”, ka thënë kryeministri Kurti.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka…