Deklarata e Macronit për Kosovën, KE-ja: Një shtet i vetëm nuk mund t’i pezullojë vizat

20 tetor 2023 | 17:23

Komisioni Evropian (KE) nuk ka pranuar ta komentojë deklaratën e bërë nga presidenti francez Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij në Tiranë, për liberalizimin e vizave.

KE-ja, megjithatë ka theksuar se regjimi pa viza për Kosovën do të hyjë në fuqi në fillim të vitit që vjen.

“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024 dhe do t’i lejojë ata që të udhëtojnë brenda hapësirës së Bashkimit Evropian për 90 ditë”. Kjo është përgjigja e dhënë nga zëdhënësja e Komisionit Evropian për Punët e Brendshme, Anitta Hiper pasi është pyetur nga “A2 CNN”, nëse Franca ka propozuar pezullimin e liberalizimit të vizave të Kosovës.

Përpos kësaj, në përgjigjen e tij, Komisioni Evropian ka sqaruar se një shtet i vetëm nuk mund të vendosë që të pezullojnë një regjim të lëvizjes pa viza pasi ky i fundit është vendosur.

Vendime të tilla, siç ka sqaruar KE-ja, mund të merren vetëm në nivel të BE-së, duke u bazuar në rregullat e unionit për dhënien apo pezullimin e regjimeve pa viza.

Kujtojmë se një deklaratë e bërë nga shefi i Elizesë në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama shkaktoi debate në Shqipëri dhe Kosovë.

“Ne u kemi besuar për çështjen e vizave. Çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres që të angazhohen të dyja palët që të ecim përpara në javët e ardhshme. Është kusht i paqes në të gjithë zonën”, ka thënë ai.

Ishin këto fjali të presidentit francez të cilat janë interpretuar në mënyra të ndryshme, e megjithatë, KE-ja është shprehur e qartë në përgjigjen e tij se regjimi i lëvizjes pa viza për Kosovën mbetet i paprekur.

Në prill 2023, Parlamenti Evropian dhe Këshilli kanë adoptuar Rregulloren 2023/850 të (BE), duke u hequr mbajtësve të Pasaportës së Kosovës, regjimin e vizave.

Liberalizimi i vizave për shtetasit e Kosovës do të hyjë në fuqi në 1 janar të vitit 2024. Do t’ u lejojë qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë në hapësirën e Bashkimit Evropian pa viza për 90 ditë në çdo periudhë kohore prej 18 ditësh.

Komisioni ka vlerësuar që nga korriku 2018 se Kosova i përmbush të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Kosova ka punuar vazhdimisht për të përmbushur standardet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë vendosur të premten…