Deklarata e Pavarësisë së Kosovës vendoset në zyrën e kryetarit të komunës arbëreshe në Kalabri

20 nëntor 2023 | 22:49

Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron që disa ditë në Kalabri të Italisë, ku po takon shumë arbëreshë.

Hoxhaj së bashku me kolegun partiak Elmi Reçica, vizituan San Demetrio Corone, që është ndër qendrat më të mëdha historike dhe kulturore te arbëreshët e Italisë, ku është ruajtur identiteti etnik, gjuha, tradita, besimi dhe zakonet shqiptare.

“Pjesë e identitetit arbëresh tash është edhe Kosova e pavarur, e për të treguar identitetin e tyre shqiptar krahas flamurit shqiptar dhe heroit kombëtar Skëndërbeut, inxhinieri Di Martio më tregoi vendin ku me shumë krenari ishte vendosur Deklarata e Pavarësisë së Kosovës në zyrën e kryetarit të Bashkisë! Edhe kur më vonë vizituam Kolegjin e Shën Adrianit, pamë gjallërinë e nxënësve arbëreshë pranë bustit hijerëndë të De Radës, e shumë nga ta e dinin se atdheu i tyre historik është në Ballkan, Shqipëria!”, ka shkruar Hoxhaj në “Facebook”.

Postimi i plotë i Hoxhajt:

Në vendlindjen e De Radës dhe në vendlindjen e madhe të zgjimit kombëtar, ku në Komunë të flasin shqip dhe sheh të vendosur në mur Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës! Është një udhëtim drejt një ngjarjeje dhe shembull i veçantë historik kur shumë pak njerëz me ide të mëdha e kur diaspora historike e trungut kombëtar, e bëjnë ndryshimin e madh!
Sot, së bashku me mikun tim Elmi Reçica, vizituam San Demetrio Corone, ose, Shën Mitrin, që është ndër qendrat më të mëdha historike dhe kulturore te arbëreshët e Italisë, ku është ruajtur identiteti etnik, gjuha, tradita, besimi dhe zakonet shqiptare. Arbërit që u vendosën këtu ishin kryesisht ata që braktisën atdheun pas vdekjes së Skëndërbeut dhe pushtimit osman, duke u bërë elitë të kohët me një rol vendimtar në ndërtimin dhe udhëheqjen e San Demetrico Corone! Kështu, duke qenë qendra e Kolegjit të Shën Adrianit, ajo nxorri babain e letërsisë moderne shqipe, Jeronim De Radën, e ideologë të Rilindjes Shqiptare dhe luftëtarë të mëdhenj të luftës për Bashkimin e Italisë!
Edhe sot, kur vizituam Bashkinë, Kryetari i Bashkisë ishte nga Macchia Albanese, nga vendlindja e De Radës, ndërsa Drejtori komunal, Demetrio Di Martio na foli shqip, duke na treguar që krahas punës në komunë, ai merret edhe me kultivimin e muzikës arbëreshe. Pjesë e identitetit arbëresh tash është edhe Kosova e pavarur, e për të treguar identitetin e tyre shqiptar krahas flamurit shqiptar dhe heroit kombëtar Skëndërbeut, inxhinieri Di Martio më tregoi vendin ku me shumë krenari ishte vendosur Deklarata e Pavarësisë së Kosovës në zyrën e kryetarit të Bashkisë! Edhe kur më vonë vizituam Kolegjin e Shën Adrianit, pamë gjallërinë e nxënësve arbëreshë pranë bustit hijerëndë të De Radës, e shumë nga ta e dinin se atdheu i tyre historik është në Ballkan, Shqipëria! ??????

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori universitar Milazim Krasniqi ka thënë se Serbia e ka…