Deklarata e të ashtuquajturit “Kuvendi gjithëserb”, Tahiri: Bie ndesh me thirrjet perëndimore për normalitet në Ballkan
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar pas seancës së përbashkët të Qeverisë së Serbisë dhe asaj të Republika Sërpskas në Beograd ku u mbajt “Asambleja gjithë-serbe”.
Tahiri tha se deklarata e të ashtuquajturit “Kuvendi gjithë-serb”, e ku përmendet se Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë” e vërtetojnë mendësinë “millosheviqiane”.
“Deklarata e të ashtuquajturit “Kuvendi gjithëserb” ku përmendet që Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, vërtetojnë mendësinë millosheviqiane, e cila rezultoi me disa lufta në Ballkan, gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë”.
“Deklarata të tilla bie ndesh edhe me thirrjet perëndimore për normalitet në Ballkanin Perëndimor dhe me Marrëveshjen e Dejtonit”, shkroi Tahiri.
Serbia dhe entiteti serb i Bosnje – Hercegovinës, Republika Sërpska, kanë miratuar të shtunën Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe për një të ardhme të përbashkët të popullit serb.
Deklarata është miratuar në Beograd në një takim mes dy qeverive, në kuadër të të ashtuquajturit Kuvend gjithëserb.