
Deklarata për Kosovën, “Twitter” mbyll llogarinë e deputetës gjermane, reagon stafi i saj
Stafi i deputetës e Bundestagut nga radhët e partisë E Majta, Zhaklin Nastiq, ka thënë se arsyeja e bllokimit të llogarive nga profili i saj zyrtar në ‘Twitter’ është kërcënimet dhe sharjet e shumta të adresuara ndaj saj dhe familjes së saj. Kjo, pasi që në fjalimin në Bundestag, në mbledhjen për mandatin e KFOR-it deklaroi se Kosova është gjiri i ISIS-it.
Një gjë të tillë e kanë bërë vetë stafi i deputetes Nastiq, në një replikë drejtuar gazetarit Krsto Lazareviq. Ky i fundit ka shprehur shqetësimin pasi deputetja gjermane e bllokoi gazetaren Franziska Tschinderle, në pyetjet që i parashtroi drejt pohimeve kontroverze që tha gjatë fjalimit për Kosovën, shkruan Gazeta Express.
“Përshëndetje, pyetjet serioze janë të mirëseardhura në zyrën e shtypit. Zonja Nastiq ka ditë që po përballet me fyerje dhe kërcënime masive ndaj saj dhe familjes së saj për fjalimin që dha gjatë mbledhjes për mandatin e KFOR’it”, thuhet në replikën e stafit të deputetes.
“Ju duhet ta kuptoni se debatet që përkeqësojnë këtë situatë kërcënimi nuk do të vazhdojnë më tej në Twitter. Sinqerisht, Ekipi i Nastic”, thuhet tutje.
Megjithatë, një gjë të tillë e ka parë të pa arsyeshme ish-korrespodenti Lazareviq, duke thënë se pyetjet e gazetares Tschinderle nuk ishin kërcënuese.
“Gazetarja [Franziska Tschinderle] as nuk e ka kërcënuar as fyer zonjën Nastic, por i ka bërë pyetje krejtësisht normale dhe legjitime në lidhje me fjalimin e saj. Fyerjet nuk duhet përgjithësuar”, deklaroi ai.
Lidhur me këtë deklaratë, ka reaguar edhe Michael Martens, gazetar gjerman. Ai, në llogarinë e tij në ‘Twitter’, ka thënë se dëshiron të dijë se prej ku e ka marrë këtë informacion.
“Zaklin Nastiç, shpresoj që nuk do të më bllokosh edhe mua si të tjerët, por desha t’i bashkangjitem pyetjeve të kolegëve. Në çfarë të dhënash, raportime apo gjetjesh mbështetet pohimi juaj, se Kosova është “fortesë e ISIS’it””, ka deklaruar ai.
Deputetja gjermane nga E Majta, ka dhënë deklarata skandaloze në Bundestagun gjerman, duke thënë se Kosova duhet ç’armatosur njëherë e përgjithmonë.
“Kosova është fortesa e terroristëve të ISIS’it në mes të Evropës. Në Kosovë, mijëra armë janë paligjshëm në pronësi të kosovarëve. Sipas medieve serbe, Kosova ende vazhdon të furnizohet me armë gjermane. Ne, si parti e majtë, e themi qartë: Kosova duhet të ç’armatoset përfundimisht”, ka deklaruar ajo në Bundestag.
Ajo ka drejtuar gishtin drejt ish-presidentit Thaçi, për të cilin thotë se ka një rrjet organizativ kriminal, i cili është ende aktiv në Kosovë.
“Ish-presidenti Hashim Thaçi, i njohur me nofkën “gjarpri” në UÇK, është duke u gjykuar në Gjykatën Speciale në Hagë, që është një gjë e mirë. Sipas raportit të Shërbimit Inteligjent Federal të 2005’ës, “Ai kontrollon një rrjet kriminal në Kosovë””, ka thënë ndër të tjera ajo.