Deklarata për të Zhdukurit, opozita në Kosovë thotë se Kurti bëri lëshime
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë miratuar të martën në Bruksel Deklaratën për të Zhdukurit.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell, ka thënë se kanë mirëpritur miratimin e deklaratës lidhur me personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Pas miratimit, Borell ka thënë se dy palët janë zotuar gjithashtu të bien dakord për
detajet operacionale në takimin e ardhshëm të dialogut që pritet të mbahet në nivel të kryenegociatorëve.
“Zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur nuk është vetëm një detyrim humanitar. Ai është gjithashtu një mundësi thelbësore për pajtimin dhe besimin mes njerëzve. BE-ja mirëpret miratimin e deklaratës nga palët dhe pret që palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të Personave të Zhdukur dhe në përmbushjen e detyrimeve të tyre përkatëse ndaj familjeve”, u tha në deklaratën e Borellit.
Përfaqësues nga opozita në vend, kanë thënë se me këtë deklaratë Kosovës iu bën edhe dy dëme të pariparueshme nga Albin Kurti.
“1. Kosova u barazua me Serbinë, duke u trajtuar si dy palë të barabarta në krimet që janë kryer në vendin tonë. 2. Pranimi i termit persona ‘të zhdukur me forc’ në vend të atij ‘të zhdukur me dhunë’ (që është term juridik i pranishëm në konventat kundër krimeve të luftës), shfajëson Serbinë si shtet nga përgjegjësia për zhdukjen e personave të pagjetur. Asnjë fitore për Kosovën. Veç degradim. Veç koncesione. Dhe filma për qytetarët e vendit tonë”, ka shkruar në “Facebook” kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.
Edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka theksuar se deklarata për të zhdukurit e pranuar nga kryeministri Kurti shfajëson përgjegjësinë e shtetit të Serbisë dhe barazon krimet e Serbisë dhe Kosovës.
Gjithashtu edhe profesori universitar, Blerim Latifi, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se një fjali në tekstin e Deklaratës për Personat e Zhdukur është problematike për shtetin e Kosovës. Latifi, duke komentuar marrëveshjen, tha se largimi i fjalisë “persona të zhdukur me dhunë” është fitore për Serbinë.
Ish-kryesuesi i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se “është tmerruar” kur e pa Deklaratën për Personat e Zhdukur të dakorduar në Bruksel në mes të Kosovës dhe të Serbisë.
Hasani thotë se ajo ka dy probleme në dokumentin e nënshkruar. E para është se Kosova barazohet me Serbinë, ndërsa e dyta është se Kosova nuk ka ekzistuar si shtet para 2008-s dhe nuk mund të marrë përgjegjësi për atë se çfarë ka ndodhur.
“Në aspektin ndërshtetëror ajo deklaratë ka dy defekte jashtëzakonisht serioze pasi më ka çudit nga ata që eventualisht mund ta këshillojnë Kurtin, po flas për vendorët jo për ndërkombëtarët. Ajo që quhet zhdukje me forcë, po e shoh që menjëherë ka filluar barazimi me gjuhën shqipe. Me këtë është larguar çdo përgjegjësi e shtetit serb për këtë kategori të personave. E dyta, do të thotë, është çështja palët që i kanë në posedim provat e tyre. Kjo është e pakuptimtë. Kosova është ndërtuar si shtet, siç thotë një studiues britanik, në natën e 17 shkurtit 2008. Deri atëherë në Kosovë ka ekzistuar administrata e UNMIK-ut. Si mund të jep përgjegjësi Kosova për një periudhë kur nuk ka ekzistuar”, shtoi Hasani.
Sadri Ramabaja, analist politik dhe mbështetës i qeverisë Kurti, thotë se po bëhet zhurmë për asgjë.
Ai thotë se pretendimi për ta cilësuar si marrëveshje të dëmshme për Republikën tonë, është tejet cinik për të qenë objektiv, sipas pretenduesve zhurmues.
“Shumë zhurmë për asgjë. Bashkimi Evropian ka publikuar Deklaratën për të Zhdukurit, të cilën e miratuan kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në takimin në Bruksel. Sipas deklaratë së BE-së, puna do të mbikëqyret nga një Komision i Përbashkët që do të kryesohet nga BE-ja dhe do të mbikëqyret nga Kryqi i Kuq. Gjithashtu, është kërkuar qasje e plotë në të gjithë dokumentet, incizimet dhe vende të tjera ku mund të ketë informacione për ta bërë sa më të lehtë gjetjen e të zhdukurve nga periudha 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000. Në paragrafin e dytë të Deklaratës thuhet taksativisht: ‘Duke pasur parasysh se kjo Deklaratë ndjek mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (IRCR) për Personat e Zhdukur, që përfshin personat e zhdukur me forcë’. Pa u lexuar mirë tekstin, një lagje e mediave tona, kanë filluar t’i bien trumpetave zhurmuese për diçka që është shumë e qartë. Pretendimi për ta cilësuar si marrëveshje të dëmshme për Republikën tonë, është tejet cinik për të qenë objektiv, sipas pretenduesve zhurmues. Oportuniteti intelektual godet keq objektivitetin…”, ka shkruar Ramabaja në “Facebook”.
Pas miratimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila ka thënë se fati i të zhdukurve me forcë ka qenë prej kohësh një plagë e thellë në shoqërinë tonë.
“Familjet që vazhdojnë të kërkojnë vendndodhjen e të dashurve të tyre, të cilët u zhdukën me forcë nga regjimi i Millosheviqit dhe përmes një sistemi të krimeve të luftës dhe gjenocidit të sponsorizuar nga shteti, kanë mbi dy dekada që mbajnë këtë barrë të rëndë në zemrat dhe në emër të një vendi të tërë. Atyre u është mohuar në mënyrë çnjerëzore drejtësia dhe paqja për një kohë të gjatë. Shpresojmë që deklarata e rënë dakord sot në Bruksel do të hapë rrugën për njohjen e këtyre krimeve dhe për drejtësinë. Por mbi të gjitha, një moment lehtësimi për familjet që kanë pësuar dhimbje dhe vuajtje të pashpjegueshme. Kjo deklaratë do të kërkojë zbatim të menjëhershëm dhe për këtë, siç e dimë nga marrëveshjet e mëparshme, Serbia ka një histori të paimagjinueshme”, ka shkruar Osmani në “Twitter”.
Deklarata për të Zhdukurit e arritur në Bruksel:
Duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur dhe për të nxitur pajtim dhe paqe të qëndrueshme;
Duke pasur parasysh se kjo Deklaratë ndjek mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për Personat e Zhdukur, që përfshin personat e zhdukur me forcë;
Duke kujtuar se të gjitha kategoritë e personave të zhdukur, do të trajtohen me prioritet të barabartë;
Duke njohur punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit Punues për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga KNKK;
Duke inkurajuar bashkëpunimin me aktorë të tjerë relevantë në fushën e personave të zhdukur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP);
Duke e njohur çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare;
Duke vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë për të lehtësuar vuajtjet e familjeve;
Ne angazhohemi bashkërisht;
Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e personave të zhdukur;
Për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe për të pasuar më pas me gërmime;
Për të siguruar qasjen e plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet dhe çdo dokument tjetër – përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar – nën posedimin e institucioneve të të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst;
Për t’i vënë në dispozicion të gjitha dokumentet vendore dhe ndërkombëtare me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji tjera, në zbulimin e varreve masive;
Për të mundësuar dhe inkurajuar angazhimin aktiv të familjeve të personave të zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre;
Për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe për të adresuar nevojat e familjeve të personave të zhdukur;
Për të krijuar dhe punuar së bashku përmes një Komisioni të Përbashkët, të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK, me qëllim të mbështetjes së përpjekjeve për të zgjidhur fatin e personave që mbeten të zhdukur;
Për të monitoruar dhe mbështetur punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët.