Deklarata Politike numër 7 i hapi dyert e diplomacisë (16)
INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i UÇK-së si “organizatë terroriste”? (16)
Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në intervistën ekskluzive dhënë “Epokës së re”, në vazhdimin e pjesës së gjashtëmbëdhjetë, ka folur për Deklaratën politike nr.7, të datës 13 gusht 1998, ku Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së bëri publik emrat e përfaqësuesve politikë. Ai ka treguar se krijimi i Drejtorisë Politike kishte për qëllim të administronte dimensionin politik të luftës çlirimtare dhe në funksion të qartësimit se kush e përfaqëson UÇK-në. “Publikimi i emrave të përfaqësuesve politik hoqi një numër dilemash që shtroheshin qoftë gjatë konferencave të shtypit me gazetarë të mediave të ndryshme ndërkombëtare, qoftë në zgjerimin e kontakteve me diplomatë të vendeve të ndryshme”, ka thënë Bardhyl Mahmuti. Në këtë intervistë, ai flet edhe për pakënaqësitë brenda LPK-së sa i përket emrave se kush do të duhej ta përfaqësonte UÇK-në në takime me diplomatët e huaj.
“Epoka e re”: Nga bashkëbisedimi i deritanishëm del se mbajtja fshehtë e përfaqësimit të UÇK-së në takime me diplomatët amerikanë kishte krijuar pakënaqësi te një numër udhëheqësish të LPK-së. A kanë ndikuar këto pakënaqësi që të përshpejtohet bërja publike e emrave të përfaqësuesve politikë UÇK-së?
Bardhyl Mahmuti: Mendoj se pakënaqësitë nuk lidhen me atë se nuk ishin të informuar për emrat e personave që përfaqësonin UÇK-së në takime diplomatike, por për mënyrën si ishin anashkaluar në procesin e përzgjedhjes se kush do të fliste në emër të saj. Fakti se edhe një çerek shekulli pas as periudhe vazhdojnë ta trajtojnë si “komplot” mos zgjedhjen e Drejtorisë Politike të UÇK-së nga organet drejtuese të LPK-së dëshmon se motivet e pakënaqësive janë gjetiu.
“Epoka e re”: Mendoni se ambiciet individuale të veprimtarëve të tjerë të LPK-së për ta përfaqësuar ata UÇK-në kanë ndikuar në pakënaqësitë e tilla?
Bardhyl Mahmuti: Është e mundshme, sepse ambicia për ta përfaqësuar një projekt të caktuar është tërësisht legjitime për çdo veprimtar që mobilizohet rreth një kauze politike. Duke qenë pjesë aktive e procesit të krijimit dhe të mbështetjes së UÇK-së, çdo anëtar i LPK-së ka pasur të drejtë të këtë ambicie ta përfaqësojë politikisht. Mirëpo historia është ajo që ka ndodhur dhe vlerësimet duhet të jenë të sakta lidhur me zhvillimet e ngjarjeve në kontekstin e asaj kohe. Ajo që për mua është e papranueshme lidhet me mënyrën e prezantimit të atyre ngjarjeve në libra autorial, artikuj apo intervista të disa veprimtarëve. Përqendrimi i vëmendjes në atë se kush e përfaqësoi UÇK-në në takimet diplomatike dhe mos përmendja e rezultateve të këtyre takimeve nuk është qasje objektive e realitetit të atëhershëm, por prezantimi i njëanshëm që lë në heshtje thelbin e asaj përse bëhen takimet e kësaj natyre: rezultatin!
“Epoka e re”: Nëse e përmbysim këndvështrimin dhe viheni në pozitën e atyre që kanë bindjen se janë lënë anash në momentet vendimtare të një procesi për të cilin kanë dhënë kontribut, si do të reagonit ju?
Bardhyl Mahmuti: Nëse jeni dakord, për të ruajtur aspektin kronologjik të zhvillimeve të ngjarjeve, për këtë çështje do të përgjigjem kur të flasim për përfaqësimin e delegacionit të UÇK-së në Konferencën e Rambujesë.
“Epoka e re”: Dakord! T’i kthehemi Drejtorisë Politike të UÇK-së! Në Deklaratën politike nr.7, të datës 13 gusht 1998, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së bëri publik emrat e përfaqësuesve politikë, në mesin e të cilëve ishit edhe ju? Çfarë mund të thoni lidhur me këtë deklaratë?
Bardhyl Mahmuti: Dihet se përpos në rastet kur pushteti është në duar të një junte ushtarake, në të gjitha rastet e tjera organizimet e mirëfillta ushtarake drejtohen nga struktura civile politike dhe jo anasjelltas. Krijimi i Drejtorisë Politike kishte për qëllim të administronte dimensionin politik të luftës çlirimtare dhe në funksion të qartësimit se kush e përfaqëson UÇK-në u lëshua kjo deklaratë. Duke u nisur nga ajo se Shtabi i Përgjithshëm ishte organi që bënte njoftimin zyrtar në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe deklaratat politike u lëshuan në emër të këtij organi.
Publikimi i emrave të përfaqësuesve politik hoqi një numër dilemash që shtroheshin qoftë gjatë konferencave të shtypit me gazetarë të mediave të ndryshme ndërkombëtare, qoftë në zgjerimin e kontakteve me diplomatë të vendeve të ndryshme. Në rrafshin e brendshëm, krijimi i Zyrës së UÇK-së në Prishtinë nga simboli i rezistencës sonë kombëtare, Adem Demaçi, shënoi rezultatin më të madh, sepse u ofroi mundësinë konkrete atyre që ishin të interesuar të kontaktonin përfaqësuesit e UÇK-së në Kosovë. Ndërsa në rrafshin ndërkombëtar na mundësoi të krijonim Grupit Diplomatik të UÇK-së me përfaqësues në qendrat vendimmarrëse të BE-së dhe në SHBA.
“Epoka e re”: Përveç juve kush bënte pjesë në Grupit Diplomatik të UÇK-së?
Bardhyl Mahmuti: Që të ishim sa më efikas, për Zvicër, ku ishte selia e Kombeve të Bashkuara, u caktuan Ramadan Avdiu, Jashar Salihu, Bilall Sherifi dhe Agush Buja; për Norvegji, që në atë kohë udhëhiqte OSBE-në nëpërmjet ministrit të Punëve të Jashtme, Knut Vollebæk, u caktua Nufri Leka; për Gjermani dhe Austri: Sabri Kiçmari, Rexhë Ibërdemaj dhe Mujë Rugova; për Danimarkë: Ibrahim Xhemajli; për Britani të Madhe: Pleurat Sejdiu dhe për SHBA: Dino Hasanaj, ndërkaq unë mbuloja edhe Francën dhe Belgjikën, për shkak të zotërimit të gjuhës frënge.
“Epoka e re”: Përveç heqjes së dilemave se kush e përfaqëson UÇK-në, çfarë efektesh konkrete pati ky veprim?
Bardhyl Mahmuti: Në momentet më kritike kur populli shqiptar i Kosovës ballafaqohej me ofensivën e forcave të armatosura serbe që zbatonin projektin e gjenocidit, publikimi i përfaqësuesve politik të UÇK-së hapi dyert për takime diplomatike në shtetet më me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Krahas kësaj, interesimi i madh i gazetarëve të huaj mundësoi mbajtjen e qindra konferenca me gazetarët në Prishtinë, Gjenevë, Paris, Bruksel, Bon, Vjenë, Londër, Kopenhagë, Oslo etj. Si rezultat i një pune të larmishme politike, diplomatike dhe mediatike arritëm të ndryshojmë perceptimin që ishte krijuar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në kuadër të institucioneve politike ndërkombëtare. Në këtë kontekst më 23 shtator 1998 Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, miratoi Rezolutën 1199, që shënoi një ndryshim cilësor lidhur me qëndrimin ndaj UÇK-së.
(Muhamet Mavraj / Vijon)