Deklarata se Serbia po ndihmon arratisjen e të burgosurve kosovarë, Prokuroria Speciale merr në pyetje Ministren Albulena Haxhiu
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxzhiu po intervistohet nga Prokuroria Speciale pasi deklaroi se grupe kriminale të lidhura me pushtetin në Serbi kanë gisht në arratisjen e disa të burgosurve në Kosovë.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi i tha Gazetës Express se Haxhiu po intervistohet për ta sqaruar deklaratën e saj për takime dhe diskutime të mundshme me prokurorë e gjyqtarë për raste të caktuara, si dhe për një postim të fundit në Facebook lidhur me arratisjet nga burgjet.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se me autorizim të Prokurorisë Speciale, sot është intervistuar Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, me qëllim të sqarimit të deklaratës së saj të dhënë në mediumin TV Dukagjini, në emisionin “Debat Plus’’ më datë 02 Korrik 2024, lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara, si dhe postimin e saj në rrjetin social Facebook të datës 20 Korrik 2024, lidhur arratisjet që kanë ndodhë nga burgjet e Kosovës”, tha Kozmaqi.
Ajo tha se “intervistimi i të njëjtës për sqarim të këtyre çështjeve do të vazhdojë edhe nesër”.
Haxhiu tha të shtunën se ka informacione se disa raste të arratisjeve “janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”.
Ajo tha se “ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës” dhe se “shpeshtimi sistematik i këtyre rasteve në këtë periudhë nuk ka asnjë kuptim tjetër përpos qëllimit politik agresiv të fqinjit tonë verior”.
Në të njëjtin postim, ajo shkroi se “një hetim vendor dhe ndërkombëtar është i domosdoshëm që të hetojë aktet sistematike të nxitjes e cytjes, organizimit e bashkëorganizimit të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë, dhe krijimin atje të një ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës”. Si ministre e drejtësisë, ajo tha se do të ofronte “bashkëpunimin e plotë të shtetit tonë në këtë drejtim”.