Deklaratat e Dr. Faucit zemërojnë Trump, kërkon shkarkimin e tij

14 prill 2020 | 11:30

Presidenti amerikan Donald Trump shpërndau në Twitter një thirrje për shkarkimin e Dr. Anthony Faucit, pasi eksperti më i lartë i vendit për sëmundjet infektive tha se mund të ishin shpëtuar më shumë jetë, nëse vendi do të ishte mbyllur më shpejt gjatë shpërthimit të koronavirusit.

Presidenti Trump shpërndau të dielën në Twitter mesazhin e shkruar nga një ish-kandidat republikan për në Kongres, i cili citonte komentet e zotit Fauci gjatë një interviste televizive të dielën. Mesazhi në Twitter titullohej “koha për të #ShkarkuarFaucin”.

Presidenti republikan në të kaluarën ka shpërndarë mesazhe kritikuese (të të tjerëve) për zyrtarët ose kundërshtarët e tij, duke mos preferuar t’i bëjë vetë kritikat. Shpërndarja e këtij mesazhi në Twitter nxiti spekullimet se Presidentit Trump po i mbaron durimi me shkencëtarin e mirënjohur dhe se mund ta shkarkojë atë.

Shtëpia e Bardhë nuk e komentoi të hënën këtë veprim në Twitter të Presidentit Trump.

Dr. Fauci ka marrë rëndësi kombëtare dhe një nivel pëlqimi, si një udhëheqës në luftën kundër koronavirusit. Ai ka kundërshtuar ose korrigjuar Presidentin Trump për çështje shkencore gjatë krizës së shëndetit publik, siç ishte p.sh. gjatë diskutimit nëse ilaçi anti-malaria hidroksilklorina është efektiv apo jo kundër koronavirusit.

Dr. Fauci u pyet në emisionin “State of the Union” të kanalit CNN në lidhje me një raport të gazetës New York Times që dokumentonte paralajmërimet e hershme të dërguara Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin. Shkencëtari pranoi se mbyllja e vendit më shpejt mund të kishte shpëtuar jetë, por paralajmëroi se ishin të përfshirë një numër faktorësh.

Deri më tani në SHBA janë shënuar 23,070 viktima nga Covid-19 dhe janë infektuar 572,169 persona sipas statistikave nga universiteti John Hopkins.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Derisa masat janë ashpërsuar në luftën kundër COVID-19, fytyra të…