
Deklaratat e Papa Françeskut që nxitën reagime në mbarë botën
Papa Françesku ka vdekur në moshën 88-vjeçare.
Ai u shtrua më 14 shkurt në spitalin Gemelli të Romës për pneumoni.
Gjatë shtrimit në spital, Papa përjetoi disa episode të dështimit të frymëmarrjes, duke përfshirë bronkospazma, të cilat kërkonin ventilim mekanik jo-invaziv.
Papa u lirua nga spitali muajin e kaluar dhe u shfaq para besimtarëve ditën e Pashkëve në Vatikan dje.
Ndërsa së fundmi është publikuar një pasqyrë e deklaratave më të rëndësishme të tij, përcjell Telegrafi.
Që nga fillimi, Papa Françesku ka qenë i njohur për fjalimin e tij të hapur mbi problemet sociale globale, varfërinë, migracionin, ekologjinë dhe të drejtat e pakicave.
Mesazhet e tij shpesh shkaktuan reagime të mëdha, si brenda Kishës ashtu edhe në botë.
Rreth LGBT
“Nëse dikush është homoseksual dhe kërkon Zotin dhe ka vullnet të mirë, kush jam unë për të gjykuar?”
“Zoti i do të gjithë fëmijët e tij, ashtu siç janë.”
“Homoseksualët kanë të drejtë të jenë në një familje. Ata janë fëmijë të Zotit dhe kanë të drejtën e një familje.”
Rreth emigrantëve
“Emigrantët nuk janë një kërcënim për kulturat, zakonet dhe vlerat tona. Ata janë njerëz që kërkojnë paqe.”
“Emigrantët sot janë një simbol i të gjithë atyre që janë refuzuar nga shoqëria”.
“I bëj thirrje të gjithë besimtarëve të Kishës Katolike të mos i nënshtrohen tregimeve që diskriminojnë dhe shkaktojnë vuajtje të panevojshme për vëllezërit dhe motrat tona migrantë dhe refugjatë.
Mbi varfërinë, pabarazinë dhe korrupsionin
“Kjo ekonomi po vret. Nuk mund të tolerohet të shpërdorohet ushqimi ndërsa njerëzit janë të uritur.”
“Ekzistojnë tre të drejta themelore të çdo njeriu: toka, shtëpia dhe puna.”
“Korrupsioni mban erë”.
Rreth luftës
“Lufta është gjithmonë një humbje. Lufta nuk është kurrë një zgjidhje.”
“Lufta është disfata e politikës dhe e njerëzimit”.
“Lufta është një cenim. Cenim i dinjitetit njerëzor.”
Për gratë, të rinjtë, të moshuarit
“Gratë janë të domosdoshme në marrjen e vendimeve që formësojnë jetën e Kishës.”
“Të rinj, mos kini frikë të ëndërroni të mëdha dhe të ndryshoni botën”.
“Refuzimi i të moshuarve është një mëkat. Ata janë kujdestarët e kujtesës sonë kolektive.”
Rreth ekologjisë
“Ne nuk mund të shikojmë më nga ana tjetër përballë shkatërrimit ekologjik.”
“Toka është shtëpia jonë e përbashkët dhe ne po e plaçkitim pamëshirshëm”.