Deklaratat e Ramës për bashkim kombëtar shqetësojnë Rusinë dhe Serbinë

11 tetor 2021 | 11:33

Deklarata e kryeministri Edi Rama në emisionin “Zonë e Lirë” se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është në ëndrrat e tij, ka shkaktuar reagime të forta në Rusi dhe Serbi.

Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë e ka quajtur të papranueshme deklaratën e kryeministri shqiptar.

“Ne e konsiderojmë deklaratën e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama mbi bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës absolutisht të papranueshme. Promovimi i planeve për krijimin e një ‘Shqipërie të Madhe’ bie ndesh me dispozitat e Rezolutës 1244 të Këshilli të Sigurimit të OKB-së dhe minon stabilitetin në rajon. Pozicione të tilla nuk janë në përputhje me përpjekjet e përbashkëta të Beogradit dhe Tiranës për të krijuar një treg të vetëm. Ne mezi presim të dëgjojmë një përgjigje të përshtatshme nga rojet perëndimore të projektit të ‘ndërtimit të shtetit në Kosovë’ ndaj kësaj sfide të hapur. Ne jemi të habitur që thirrjet e tilla subversive po injorohen ndërsa Beogradi po kritikohet për nismat humanitare për “botën serbe”, të cilat janë të arsyetuara dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, është thënë në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Edhe ministri i Punëve të Brendshëm të Serbisë, Aleksandër Vulin, në një prononcim për medie, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe institucionet e tjera ndërkombëtare që të dënojnë këto deklarata, të cilat sipas tij kanë si synim krijimin e Shqipërisë së Madhe.

“Kur Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thotë se detyra e karrierës së tij politike është bashkimi i Shqipërisë me Kosovën të gjithë heshtin. Kur unë, i cili nuk jam Kryeministër i Serbisë, thërras në emrin tim për unitetin politik të të gjithë serbëve, atëherë i gjithë rajoni reagon dhe BE ka diçka për të thënë”, ka deklaruar Vulin.

Gjatë intervistës në “Zonë e Lirë”, kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, u pyet nëse synimi i tij është të jetë president i Shqipërisë dhe Kosovës.

Ai u përgjigj duke thënë se bashkimi i të dy shteteve është aspiratë.

“Nuk është në planet e mia. Bashkimi Kosovës me Shqipërinë po. Ky nuk është projekt personal, kjo është aspiratë. Ambicia ime është të kem një jetë të tretë, që të mos ketë lidhje me politikën e përditshme”, është shprehur Rama.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nesër dhe pasnesër, do…