Deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj Pjetër Shalës do të jenë më 15 dhe 16 prill
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Mappie Veldt-Foglia, ka përcaktuar rendin e ditës për deklaratat përmbyllëse në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, të cilat janë planifikuar që të dëgjohen në seancat nga 15 deri më 16 prill.
Si rrjedhojë, trupi gjykues ka përcaktuar se deklaratat përmbyllëse të ZPS-së do të mbahen më 15 dhe 16 prill duke vijuar me mbrojtësin e viktimave.
“Rendi i ditës, që mund të ketë ndryshime gjatë seancës në bazë të vendimeve të trupit gjykues, përcakton se deklarata përmbyllëse e ZPS-së do të mbahet më 15 dhe 16 prill, e vijuar nga mbrojtësi i viktimave (më 16 prill) dhe mbrojtja (më 16 dhe 17 prill)”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.
Po ashtu, në rast se ka komente të palëve, pyetje nda trupi gjykues dhe parashtrime në lidhje me zhdëmtimet, është planifikuar që ato komente e pyetje të dëgjohen më 17 dhe 18 prill.
“Përgjigjet dhe komentet e palëve, pyetjet nga trupi gjykues dhe parashtrimet në lidhje me zhdëmtime janë planifikuar të mbahen më 17 dhe 18 prill”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, dita e fundit do të mbyllet me dëgjimin e deklaratës përmbyllëse nga i akuzuari Pjetër Shala.
Megjithatë, seanca e planifikuar për 19 prill nuk do të mbahet.
Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.
Në mars 2023 ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.
Ndërsa, seancat për deklaratat përmbyllëse të palëve në këtë çështje janë caktuar për në muajin prill.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.