DEKLARIME INTERESANTE NË POLITIKËN TONË?!
Jakup Krasniqi
Duke lexuar portalet tona, sidomos deklaratat e përfaqësuesve të popullit, burra e gra, zyrtarë të lartë e profesorë, mu kujtua thënia e popullit se: “kur një dele mbytet në bunar, edhe të tjerat shkojnë pas saj”! A duhet të bëhen njerëzit me dije politike e arsimore dele? Këtu, natyrshëm shtrohet pyetja: Nëse një deputet a deputete, mbytet në bunar, a duhet të tjerët të kërkojnë për të njëjtën gjë një pus më të thellë për t’u mbytur?
Në jetën time shpesh kam dëgjuar se “njeriut duhet t’i flet mendja e pastaj gjuha”. Kjo do të duhej të vlente për çdo njeri e sidomos kjo do të duhej të vlente për ata profesorë e profesoresha që ligjërojnë në amfiteatrot e diturisë! Aty ku fjala duhet të peshohet e ripeshohet para se fjala të merrte udhën e saj.
Përsëri do t’i referohem filozofisë popullore e cila na mëson: “Mendo tri e diku thuhet shtatë herë e fol një herë”! A kaq të padijshëm jemi sa mos ta kujtojmë një urti të tillë?
Kjo do të duhej të vlente për se cilin njeri që ka një përgjegjësi publike politike, mediale e mbase akoma me shumë ata që profesion e kanë ligjërimin para auditorëve arsimor.
Kulmi i skizofrenisë politike është aty kur e tërë një anëtarësi e një partie politike cilësohet si ADN e tradhtisë?! Të flasësh për tradhti të këtij e ati individi është tjetër gjë, por ta përgjithësosh më tërësinë e njerëzve të verifikuar edhe me besnikëri të skajshme, nuk besoj që është vetëm skizofreni!
E sidomos, kur ajo tërësi ka dhënë dhjetëra mbase edhe qindra dëshmi flijuese për të qenë kombi dhe vendi ynë këtu ku është sot!
Prandaj, kujdes gjuha e komunikimit, pasi gjuha është një vlerësuese e ADN-së të secilit individ që përdorë gjuhën si mjet komunikimi e mirëkuptimi në mes njerëzve.
Vendi dhe kombi ynë kurrë nuk ka pasur nevojë më shumë sesa sot për ADN-në e mirëkuptimit e të bashkëpunimit!