Deklarimi i pasurisë, ja sa zyrtarë publikë nuk e kanë kryer këtë obligim

20 prill 2025 | 15:26

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj, ka deklaruar se nga rreth 10 mijë e 700 zyrtarë publikë të obliguar të deklarojnë pasurinë, 141 prej tyre nuk e kanë përmbushur këtë detyrim brenda afatit ligjor, numër ky në rritje krahasim me vitin e kaluar.

Buleshkaj ka theksuar se AKP-ja tashmë janë në proces të shqyrtimit të gjobave për këta zyrtarë publikë.

Ai ka thënë se beson se brenda javës së ardhshme, do të publikohet edhe lista e gjithë këtyre zyrtarëve të cilët nuk e kanë respektuar ligjin përkatës.

Buleshkaj ka treguar se fillimisht lista përmbante rreth 300 emra, por pas pastrimit të saj janë evidentuar 141 raste të mospërmbushjes së obligimit.

“Kemi rreth 10 mijë e 700 zyrtarë publik që kanë qenë të obliguar për të kryer obligimin. Nga ta vetëm 141 nuk e kanë kryer brenda afatit. Fillimisht kemi pas një listë prej rreth 300-ve, kur është pastruar lista, jemi ardhur tek lista prej 141 zyrtarë. Ne tashmë kemi dërguar kërkesat tek institucionet për pagat e tyre dhe jemi në proces të shqyrtimit të gjobave për këta zyrtarë publikë. Besoj se brenda javës së ardhshme, do të publikojmë edhe listën gjithë këtyre zyrtarëve të cilët nuk e kanë respektuar ligjin, sepse e kemi obligim ligjor që publiku të dijë se kush janë këta zyrtarë që nuk e kanë kryer obligimin. Ky publikim, por edhe shqiptimi i gjobave nuk e ndalon procesin e kallëzimit penal në qoftë se këta zyrtarë nuk e kanë deklaruar pasurinë pas afatit shtesë… Për secilin nga ata të cilët nuk e kryen obligimin brenda afatit, përveç ata që kanë ndonjë rrethanë e cila i pamundëson objektivisht mos kryerjen e kësaj detyre, mund të jetë një sëmundje, apo arsyeje tjetër që e pengon, gjitha këto tjerat do të dërgohen në formë të kallëzimeve penale”, ka thënë  Buleshkaj.

Duke bërë krahasime me vitin paraprak, drejtori i Buleshkaj, ka thënë se ka një rritje të numrit të zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë me kohë, krahasuar me vitin e kaluar.

Procesi për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publik ka filluar me 1 mars dhe ka përfunduar më 1 prill 2025.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një vajzë 14-vjeçare është mbytur nga një luan në periferi…