Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për tentim vrasjen e gruas me të cilën bashkëjetonte

12 nëntor 2024 | 16:42

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës të martën është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarit Idriz Alija, i cili akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë ndaj bashkëjetueses së tij Sh.T, duke shtënë me armë zjarri disa herë mbi të.

I njëjti është deklaruar rreth fajësisë, të cilën e ka pranuar për pikën dy dhe tre të dispozitivit të aktakuzës. Ndërkaq, për sa i përket dispozitivit të parë të aktakuzës, atë të vrasjes së rëndë në tentativë nuk e ka pranuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Alija, avokati Haxhi Millaku ka kërkuar ndërprerjen apo zëvendësimin e masës së paraburgimit ndaj të mbrojturit të tij, duke shtuar se gjykata duhet të ketë parasysh gjendjen shëndetësore të të akuzuarit.

Gjithashtu, Millaku ka ofruar gjykatës prova për shëndetin mendor të të akuzuarit si dhe ka përmendur faktin se i njëjti kishte qenë i liruar nga shërbimi ushtarak i ish-RFSJ-së si i paaftë.

“Sa i përket dyshimit të bazuar për pikën një, i mbrojturi im veprimet e ndërmarra janë pasojë e një sëmundje të rëndë të natyrës mendore dhe në këtë kuptim kërkojmë nga gjykata që ta ndryshoj masën duke mos thënë ta heqë në tërësi, masën e paraburgimit por të njëjtën ta zëvendësoj”, ka thënë mes tjerash Millaku.

Mbrojtja ka konsideruar se nuk do të ekzistojë rreziku i ikjes, fshehjes apo arratisë pasi që i akuzuari gjatë tërë kohës do jetë nën kujdesjen e kujdestarit, në rastin konkret djalit të tij.

Kërkesa e tillë për zëvendësimin e masës së paraburgimit është kundërshtuar nga prokurorja Fatmire Cacaj.

Prokurorja i ka propozuar gjykatës që masa e paraburgimit të akuzuarit t’i vazhdohet ngase ende nuk kanë pushuar arsyet dhe shkaqet për të cilat e njëjta është caktuar dhe vazhduar.

Ndërsa, sa i përket shëndetit mendor të të akuzuarit, prokurorja ka deklaruar se i njëjti nga ekspertiza psikiatrike e ekspertëve të Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës është konstatuar që është mirë në aspektin e shëndetit mendor.

Të njëjtin qëndrim lidhur me ndërprerjen e masës së paraburgimit e ka pasur edhe mbrojtësi i palës së dëmtuar avokati, Fitim Gashi.

“Në raport me ndërprerjen e masës së paraburgimit konsideroj se duke marr parasysh natyrën e veprës dhe rrethanat e kryerjes së saj si dhe dëshirën e të pandehurit që veprën e mbetur në tentativë ta përfundoj dhe këtë të paraqitur në deklaratën e dhënë në Prokurori konsideroj që ekziston rreziku ende real që nëse i njëjti gjendet në liri të mund ta përfundoj veprën e mbetur në tentativë”, ka deklaruar Gashi.

Gjyqtarja e rastit Medije Bytyqi, pas dëgjimit të palëve ka refuzuar me aktvendim kërkesën e mbrojtjes për ndërprerje ose zëvendësim të masës së paraburgimit ndaj të akuzuarit.

Të njëjtit kjo masë do t’i vazhdohet edhe më tutje.

Në dispozitivin e parë të aktakuzës thuhet se më 6 gusht 2024, rreth orës 7:33 minuta, i pandehuri Alija në rrugën e “Pejës”, afër semaforëve në fshatin Bresje, të Fushë-Kosovë, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake dhe raportimit të dy rasteve tjera të dhunës në familje me qëllim tenton ta privoj nga jeta anëtarin e familjes, të dëmtuarën Sh.T me të cilën ka bashkëjetuar, përderisa e dëmtuara ishte me djalin e saj E.T, duke ecur në rrugë i ka përcjell nga mbrapa,

Aty thuhet se, posa të dëmtuarit kalojnë vendkalimin për këmbësor i pandehuri përshpejton hapat e nxjerr armën nga brezi, me dy duart e raportit, vrapon pas tyre nga mbrapa në mënyrë dinake nga afërsia shkrep me armë zjarri në trupin e të dëmtuarës, pastaj e godet me duar në fytyrë e cila rrëzohet në tokë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se, pas këtij veprimi të të akuzuarit, djali i të dëmtuarës, i mitur E.T, tenton ta largon nga ajo, derisa i pandehuri sërish shkrep disa herë mbi trupin e të dëmtuarës e mandej e godet me forcë të madhe rreth tetë ose nëntë herë në kokë me kondak të armës së zjarrit, derisa dy qytetarë të rastit me forcë arrijnë t’ia largojnë armën e zjarrit, duke e hedhur atë në trotuar dhe e shtrijnë për toke ku më pas të njëjtin policia e arreston.

Si pasojë e këtyre veprimeve të të pandehurit, të dëmtuarës i shkaktohen tre plagë hyrëse-tej shkuese nga arma e zjarrit, ku si dëshmi posedon raportet mjekësore dhe e njëjta është hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, me ç’rast sipas ekspertizës mjeko-ligjore e dëmtuara ka pësuar dëmtime të rënda trupore dhe të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit.

Me këtë i pandehuri Alija po ngarkohet se ka kryer veprën penale ‘Vrasja e rëndë në tentativë’ nga neni 173 paragrafi 1, pikat 1.3 dhe 1.5 lidhur me nenin 28, i Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në dispozitivin e dytë të saj, me datë, kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë, i pandehuri ka mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar në shkelje me ligjin e zbatueshëm për armët një pistoletë të tipit “Cervena Zastava” M-57, me të cilën ka shkrepur në trupin e të dëmtuarës disa herë, 3 nga gëzhojat e së cilës armë janë gjetur në vendin e ngjarjes si dhe një predhë, kurse armen e ka marr një person i cili largohet nga vend i ngjarjes, ndërkaq policia pas veprimeve hetimore më pas e ka gjetur armën dhe ka identifikuar personin nga i cili sekuestrohet arma e zjarrit. Gjithashtu edhe ndaj këtij personi iniciohet procedurë penale.

Me këtë i pandehuri Idriz Alija akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronës, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Në dispozitivin e tretë të aktakuzës, i pandehuri Alija nuk i është bindur aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega Fushë Kosovë, Departamenti i Përgjithshëm, divizioni penal, përmes të cilit e kishte të ndaluar t’i afrohej të dëmtuarës-bashkëjetuese të tij, 20 metra në vende publike dhe 100 metra nga vendqëndrimi i tyre aktual

Për këtë veprim i pandehuri Alija po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e Gjykatës” nga neni 393 paragrafi 1 i Kodit Penal.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komisionit për Mërgatë në Partinë Demokratike të Kosovës,…