Deklarohet ministrja Gorçeviq: Mali i Zi do ta përkrahë anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës në fazën finale
Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi dhe ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq kanë folur sot lidhur me votën kundër ndaj Kosovës të deputetes serbe nga Mali i Zi në Komitetin për Politikë dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare, e cila kundërshtoi raportin e Dora Bakoyannis që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në një deklaratë për media tha se Mali i Zi nuk ka votuar kundër Kosovës, por një deputete që përfaqëson një subjekt politik.
“Përfaqësimi në Këshill të Kosovës është i tillë që duhet të reflektojë edhe përbërjen politike të parlamenteve nacionale dhe rrjedhimisht Maja Vukiçeviq përfaqëson një politikë që shkon kundër qëndrimeve të Malit të Zi… Edhe ne në Parlamentin e Kosovës kemi Listën serbe që veprojnë dhe punojnë kundër interesave të shtetit të Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, me rëndësi është që vota e Vukiçeviqit nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Malit të Zi.
“…Por votat si kjo tregojnë se sa është e rëndësishme është intensifikimi i bashkëpunimit dhe margjinalizimi i veprimeve të tilla”, tha zëvendëskryeministri.
Ndërkaq, ministrja për Çështje Evropiane, Maida Gorçeviq tha se kjo votë nuk flet për qëndrimin e Malit të Zi ndaj Kosovës.
Ministrja malazeze shtoi se do të përkrahet Kosova drejt KiE-së, në Këshillin Ministror i cili mbahet në muajin maj.
“Votimi i disa deputetëve nuk do të thotë domosdoshmërisë qëndrimin e qeverisë … Mali i Zi në maj do ta anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës”, tha ajo.
Ndryshe, Maja Vukiçeviq, përfaqësuese nga Mali i Zi në Komitetin për Politikë dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare ka votuar kundër raportit të Dora Bakoyannis që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Vukiçeviq është nga partia serbe “Partia Popullore Demokratike” në Mal të Zi, parti kjo me orientim pro – serb.