Deklarohet NATO: Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak është çështje e Serbisë

10 janar 2024 | 21:40

Zyra Ndërlidhëse e Misionit Ushtarak të NATO-s në Beograd, ka thënë se çështja e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi, ashtu siç u paralajmërua nga Ministri i Mbrojtjes serbe, Millosh Vuçeviç, është çështje e autoriteteve shtetërore serbe.

“NATO do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Serbisë për të modernizuar forcat e saj të armatosura brenda kornizës së zhvillimit dhe partneritetit dypalësh”, kanë thënë nga NATO në një përgjigje për “Radio Evropa e Lirë”.

Nga Aleanca kanë theksuar se respektojnë plotësisht neutralitetin ushtarak të Serbisë.

“Gjithçka që Serbia dhe NATO-ja bëjnë së bashku është e përshtatur që të plotësojë nevojat e Serbisë dhe të ndihmojë atë të përmirësojë forcat e saj të armatosura në bazë të kornizës së Partneritetit për Paqe”, kanë shtuar nga NATO.

Nisma për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak u iniciua nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Serbisë dhe propozimi i është dërguar presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Në shpjegimin e saj, ushtria tha se propozimi vjen “pas një shqyrtimi të detajuar të situatës së përgjithshme të sigurisë dhe sfidave bashkëkohore me të cilat përballet Serbia si një vend ushtarakisht neutral”.

Serbia kishte hequr dorë nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak më 1 janar 2011 dhe që atëherë vetëm personat që duan, mund t’i bashkohen ushtrisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka thënë se prej ardhjes…