Dekorohen pjesëtarët e kërkim-shpëtimit të FSK-së
Në një ceremoni të organizuar në Regjimentin e Mbrojtjes Civile, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka dekoruar me medaljen “Shërbim Vetëmohues” pjesëtarët e Task forcës së kërkim-shpëtimit.
Pjesëtarët e kësaj Task force të ekipit të shpëtimit në ujëra dhe male ishin të rreshtuar për pritjen e komandantit të FSK-së, me ç’rast gjenerallejtënant Rama, ka theksuar se qëllimi i gjithë kësaj ceremonie është bërë për shkak të respektit për punën e që janë duke bërë pjesëtarët e kësaj force.
“Ju përgëzoj për punën dhe angazhimin. E di dhe e kuptoj se në çfarë kushtesh veproni dhe çfarë rrezikshmërie keni në punën tuaj. Kam qenë vet prezent në kërkimin e dy policëve të aksidentuar. Po ashtu kërkimi dhe gjetja e viktimës vikendin e kaluar tregon për punën dhe angazhimin serioz që ju jeni duke e bërë. Shpresoj se kurrë mos të kemi thirrje për angazhimin tuaj, sepse e di se sa e vështirë është të gjesh dhe të tërheqësh një viktimë, por ju e keni treguar me punën tuaj se jeni të gatshëm dhe të përgatitur për çdo situatë”, ka thënë gjenerallejtënant Rama.
Pjesëtarët e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë në vazhdimësi të angazhuar në operacione reale dhe të gjitha operacionet i kanë përfunduar me sukses siç janë: kërkimi në lumin “Sitnica”, në aksin Kaçanik-Hani i Elezit si dhe kërkimi në rrjedhën e Drinit të Bardhë në Komunën e Pejës.
/Epoka e re/