Del në shitje numri i ri i revistës “Jeta e re”
Doli në qarkullim numri i ri i revistës letrare të traditës “Jeta e re”, i pari për këtë vit. Të shtatë rubrikat e këtij numri sjellin autorë me peshë nga fusha e letërsisë, teorisë dhe kritikës letrare botërore dhe asaj shqiptare.
Revista hapet me Ligjëratën e shkrimtarit dhe studiuesit të letërsisë Sabri Hamitit me titullin “Mësimi i letërsisë”, mbajtur në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Rubrika e prozës nis me tregimin “Përralla e ishullit të panjohur” të nobelistit Jose Saramago, për të vazhduar me “Në pritje” të shkrimtarit, gjithashtu shumë të njohur, Amos Oz, me tregimet e shkrimtarit, publicistit dhe dramaturgut agjentinas Robero Alt: “Shkak dhe marrëzi xhelozie”, “Vëmendje beqari”, “Zilja e ndrojtur”, “Njeriu që gjithmonë të jep të drejtë” dhe “ Fjalimi që do të kishte sukses”, pastaj me tregimet e shkurtra “ Dreka e Pashkëve” dhe “ Pesë minuta” të shkrimtarit italian Paolo Zardi. Nga autorët tanë, Rrahman Paçarrizi është prezantuar me tregimin me titullin “ Helena ime”, Virion Graçi me “ Takime në mesnatë” dhe “ Xhojsi në fotografi” dhe Gazmend Bërjalolli me “Fëllanza”.
Rubrika e poezisë nis me një cikël të gjerë poezish të poetit dhe dramaturgut të njohur spanjoll Garsia Lorkës, për të vazhduar me poetin amerikan Lingston Hueghes, me poemën “ Komesari Magreli” të poetit italian Varelio Magrelit.
Ndërkaq, nga autorët, me nga një cikël poezish në këtë numër të revistës janë paraqitur Ibrahim Berisha, Osman Gashi, Skënder Zogaj, Arif Kutleshi dhe Përparim Blakaj, ndërkaq me një intervistë me titullin “Pas çdo fjale fshihet një botë e tërë” vjen shkrimtari Heinrich Boll.
Në rubrikën qendrore të revistës Dossier, në një hapësirë prej 50 faqesh, vjen Eugene Guillovic, një nga poetët madhorë të poezisë franceze të kohës, i përkthyer në më shumë se pesëdhjetë gjuhë të botës. Rubrika nis me një tekst të shkurtër vlerësues të Andre Velter-it me titullin “ Guillevic”, për të vazhduar me një cikël të gjerë poetik të këtij autori, përzgjedhur nga disa libra të tij. Rubrika përfundon me tekstin interesant dhe me interes autobigrafik “Të jetosh në poezi”.
Në rubrikën e kritikës janë prezantuar një numër autorësh tanë dhe të huaj. Rubrika nis me tekstin e David Perkins-it “Kontekstualizmi historik“ e vazhdon me “Gramatika e krijimit” të George Steiner-it, njërit ndër kulturologët më të mëdhenj sot, me “Pamundësia e përkthimit të Franc Kafkës” të shkrimtares së shquar amerikane Cynthia Ozick, me “Teatri dhe drama” të Erenestina Halilit, “ Dimensionet e identitetit multikulturor në letërsinë e vjetër shqipe” të Ilir Brecës dhe “ Erosi i përçmuar” të Marjela Prognit- Pecit.
Përkthyesit që kontribuuan në këtë numër janë: Bajram Karabolli, Gëzim Aliu, Alket Çani, Sulejman Dërmaku, Alfred Beka, Arben Idrizi, Erion Karabolli, Qerim Ondozi, Arta Hallaçi dhe Rexhep Maloku.