Delawie kërkon nga deputetët që të zgjedhin kandidatët e duhur për Kushtetuese
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Greg Delawie, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta lënë anash politikën dhe të bëjnë përzgjedhjen e duhur për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
“Vota e sotme në Kuvend për të përmbushur pesë vendet e zbrazëta në Gjykatën Kushtetuese është kyçe për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Ju bëj thirrje deputetëve që ta lënë anash politikën dhe t’i zgjedhin kandidatët që janë njerëzit më të mirë për këtë punë – juristë të mirë që reflektojnë diversitetin e Kosovës, këtu duke përfshirë edhe gratë”, ka shkruar Delawie në llogarinë e vet në “Twitter”.
Seanca për zgjedhjen e pesë anëtareve të Gjykatës Kushtetuese pritet të mbahet sot në orën 16:00, ku në garë janë: Nexhmi Rexhepi, Remzije Istrefi-Peci, Radomir Laban, Hajzer Salihu, Safet Hoxha, Bajram Latifi, Shkëmb Manaj, Vigan Qorroli, Shqipe Ibraj – Mala dhe Nebojsha Boriqiq.
/Epoka e re/