Delawie: Politikanët të mos përzihen në drejtësi
Ambasadori amerikan në largim, Greg Delawie ka potencuar rëndësinë e fuqizimit të institucioneve dhe sundimit të ligjit në të ardhmen, duke përsëritur edhe një herë se politika nuk duhet të përfshihet në drejtësi dhe se i gjithë progresi që duhet arritur në këtë drejtim varet nga vetë qytetarët e Kosovës.
Presidenti Thaçi sot ka organizuar një ceremoni lamtumirëse për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie.
Ambasadori ka theksuar se Kosova ndodhet në një rrethanë kritike dhe ka kërkuar nga politikanët të mos përzihen në drejtësi.
“Kemi punuar me produktivitet së bashku për tri vjetët e kaluara, por po largohem me shpresa, sepse e di që qytetarët e këtij vendi kanë potencial për të siguruar progresin e Kosovës në kapitullin e radhës. Ky progres varet prej tyre. Këtë javë më keni dëgjuar të flas për arritjen e sukseseve të fundit, përparimeve në sundimin e ligjit dhe fuqizimin e ekonomisë dhe shoqërisë civile. Ju më keni dëgjuar, po ashtu të them se Kosova ndodhet në një rrethanë kritike, qytetarët duhet të shohin që politikanët të mos përzihen në drejtësi. Nëse dekada e parë mori kohë për formimin e institucioneve, në dekadën e radhës Kosova duhet të forcojë institucionet dhe të implementojë ligjet”, ka deklaruar ai.
Delawie ka shtuar se për të gjitha sukseset ose mos sukseset kosovarët nuk do të kenë kënd ta urojnë, ose ta fajësojnë, ndërkohë që foli edhe rreth dialogut në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth arritjes së një marrëveshjeje eventuale.