Delawie: Puna në urën e Ibrit po vazhdon, dialogu në Bruksel, alternativa e vetme
Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Greg Delawie, ka thënë se dialogu në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja alternativë.
Këto komente, Delawie i bëri gjatë një vizite në veri të Mitrovicës.
“Jam i lumtur të shoh se puna në urën e Mitrovicës po vazhdon. Nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç dialogut të Brukselit dhe suksesi varet nga zbatimi i çdo marrëveshjeje”, ka thënë Delawie gjatë qëndrimit të tij në Mitrovicë.
Ai më tutje ka zhvilluar edhe një takim me shoqërinë civile që vepron në veri të Mitrovicës, duke thënë se mbështet rolin e tyre për “punën në dialogun ndëretnik, avokimin për të drejta të njeriut dhe të ndihmojë qytetarët të ngritin zërin e tyre”.
“Shpresoj të jenë duke dëgjuar vendimmarrësit”, ka theksuar Delawie.
Gjatë ditës, Delawie ka vizituar edhe Gjykatën Themelore në veri të Mitrovicës.
“Të gjithë qytetarët në Kosovë duhet të kenë qasje në drejtësi. Jam i lumtur që vizitova gjykatësin Kabashiq dhe ekipin e tij që po punojnë në themelimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë. Ambasada dhe USAID-i vazhdojnë të mbështesin integrimin e drejtësisë”, ka shkruar Ambasadori Amerikan në Kosovë, Greg Delawie.