Delawie i shqetësuar me incidentet kundër pjesëtarëve të komunitetit serb
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, ka kërkuar nga Qeveria dhe autoritetet tjera përgjegjëse në Kosovë që të adresojnë në mënyrë adekuate të gjitha rastet e sulmeve ndaj pjesëtarëve të komunitetit pakicë në Kosovë.
Këto komente, ai i bëri për “Radion Evropa e Lirë” pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, me ç’rast ka shprehur edhe shqetësimin e tij për rastet, siç tha ai, në rritje kohëve të fundit të incidenteve në raport me pjesëtarët e komuniteteve pakicë.
“Sapo pata një takim të mirë me kryeministrin, ku e trajtuam edhe këtë çështje. Sigurisht që unë ia shpreha shqetësimin tim rreth numrit brengosës të incidenteve të kohëve të fundit të drejtuara ndaj disa individëve, disa pjesëtarëve të pakicës serbe. Mendoj se këto incidente janë plotësisht të papranueshme”, ka theksuar Delawie.
“E mirëpres deklaratën e qeverisë të lëshuar dje. Megjithatë dëshiroj të shoh që po bëhet më shumë. Mendoj se policia qartazi po reagon në mënyrë pozitive dhe kjo është e mirë, por kjo përgjigje duhet të përmirësohet dhe që ata duhet të punojnë më shumë në parandalim e jo vetëm që të merren me gjërat pasi të kenë ndodhur”, ka deklaruar ambasadori amerikan, duke shtuar se Kosova është shoqëri shumetnike dhe çdokush ka përgjegjësi për të jetuar në paqe me fqinjët e tij apo të saj. “Sigurisht kërkoj që njerëzit të mos lejojnë që retorika nga qarqet e tjera t’i nxisë në sjellje negative dhe kriminale. Kjo vetëm se lëndon Kosovën; i dëmton qëllimet e Kosovës për të ardhmen e secilit qytetar të këtij vendi”, ka deklaruar ambasadori amerikan.
Sipas tij, të gjithë duhet të kujdesen për sigurinë dhe qetësinë në Kosovë. “Më duhet të them se pohimet për “terror të organizuar” apo “ndërhyrjet e befasishme në veri” shërbejnë vetëm për të ngritur tensionet ndërmjet komuniteteve dhe krijojnë pasiguri më të madhe për të gjithë. Të gjitha anët – përfshirë edhe mediet – do të duhej që me kujdes t’i masin fjalët, ta shqyrtojnë ndikimin e fjalëve të tyre dhe të bëjnë përpjekje për të kontribuar në sigurinë dhe qetësinë në Kosovë”, ka deklaruar ambasadori Delawie.