Delawie, i shqetësuar me kërcënimet ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së
Lidhur me kërkesën e pjesëtarëve serbë të Forcave të Sigurisë së Kosovë (FSK) që të lirohen nga kjo forcë, ka reaguar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie.
Nëpërmjet rrjetit social në “Twitter”, ambasadori Delawie ka shprehur shqetësimin e tij të thellë për “dorëheqjet e fundit të pjesëtarëve serbë të FSK-së”.
“Frikësimi nga jashtë i pjesëtarëve të FSK-së është i papranueshëm. Diversiteti i FSK-së është një model për vendin. Ai duhet të kremtohet, e jo të shkatërrohet”, ka shkruar Delawie.
Ditëve të fundit, rreth 20 pjesëtarë serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, nga rajoni i Gjilanit, në mënyrë kolektive kanë parashtruar kërkesat për t’u tërhequr nga kjo forcë, për shkak të presioneve nga Beogradi.
/Epoka e re/