
Delawie thotë se ShBA-ja do të vazhdojë ta përkrah Kosovën
Kryetari i Kuvendit i Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie, i cili së shpejti përfundon misionin në vendin tonë.
Kryeparlamentari Veseli ka falënderuar ambasadorin amerikan për kontributin e pazëvendësueshëm në shtyrjen përpara të shumë proceseve pozitive në vendin tonë, si dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer ndër vite.
Veseli ka thënë se bashkëpunimi dhe miqësia midis Kosovës dhe ShBA-së, tashmë është e çimentuar dhe e pakthyeshme.
Duke i uruar diplomatit amerikan suksese të reja në karrierën e tij të mëtutjeshme, Veseli ka shfaqur përkushtimin për të vazhduar bashkëpunimin me drejtuesin e ri të Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Ambasadori Delawie, nga ana e tij, u shpreh i lumtur që për disa vite ka drejtuar misionin diplomatik amerikan në Kosovë, ndërsa ka falënderuar kryeparlamentarin Veseli për bashkëpunimin.
Delawie ka konfirmuar edhe njëherë se ShBA-ja do të vazhdojë të mbetet mbështetëse e parezervë e Kosovës në ecjen e saj përpara dhe kapërcimin e sfidave që ajo ka para vetes.
/Epoka e re/