Delawie: Viti 2018, viti i suksesit në dialog
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë (ShBA), Greg Delawie, është shprehur optimist për rezultatet nga dialogu përfundimtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).
Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, Delawie ka shkruar se “Viti 2018 është viti i suksesit në dialog”.
Ai gjithashtu ka thënë se pret progres nga dialogu mes palës kosovare dhe asaj serbe, që do të fillojë këtë të diel, në Bruksel.
Delawie po ashtu ka shpërndarë një postim të drejtoreshës për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm Evropian të Bashkimit Evropian, Angelina Eichhorst, rreth dialogut.
“Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, presidentët Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi, do të vazhdojnë punën e tyre në fazën gjithëpërfshirëse të normalizimit në dialogun Beograd-Prishtinë, do të vlerësojnë marrëveshjet ekzistuese, do të informojnë për arritjet e deritashme, do të diskutojnë për hapat e ardhshëm në periudhën e ardhshme intensive”, ka shkruar Eichorst.
2018 is the year for success on the Dialogue. Looking forward to progress! https://t.co/ufqcGwRCxL
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) June 20, 2018