Delawie: Vuçiq të mos bëjë probleme në Kosovë, por ta forcojë demokracinë dhe sundimin e ligjit në Serbi

25 prill 2023 | 10:26

“Është zhgënjyese që autoritetet serbe kanë ndikuar që serbët e Kosovës të bojkotojnë zgjedhjet lokale në veri të Kosovës”, tha për Zërin e Amerikës ish-ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie.

Diplomati amerikan në pension ka analizuar rezultatet preliminare të votimit, ku morën pjesë 3.5 për qind e votuesve të regjistruar, ose 1567 qytetarë në veri të Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndër të tjera i cilësoi “pushtim” zgjedhjet e mbajtura pa Listën Srpska.

Me një qëndrim të tillë, megjithatë, nuk pajtohet ambasadori Delawie.

“Mënyra më e mirë që komuniteti serb i Kosovës të përmirësojë pozitën e tij është të zgjedhë përfaqësuesit e tij – të cilët janë përfaqësues të vërtetë të votuesve. Dhe që përfaqësuesit e tyre të zgjedhur të punojnë me deputetë të tjerë në projekte për të përmirësuar komunitetet e tyre dhe vendin në tërësi”, tha ish-përfaqësuesi diplomatik amerikan në Kosovë për Zërin e Amerikës.

Delawie paralajmëron se një retorikë e tillë e presidentit të Serbisë mund të forcojë tensionet në Kosovë dhe Serbi.

“Nuk sjell asnjë përfitim për qytetarët e atyre vendeve. Serbia gjatë pesë viteve të fundit ka pësuar një kthesë të dukshme në rendin demokratik sipas kritereve të organizatës Freedom House, si dhe në sferën e korrupsionit – sipas raporteve të Transparency International. Në vend që të krijojë probleme me Kosovën, Vuçiq duhet të përqendrohet në përmirësimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në vendin e tij në mënyrë që të përmbushë dëshirën e qytetarëve të tij për t’u integruar më shumë me pjesën tjetër të Evropës”, ​​thotë ambasadori Delawie.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
India do të kalojë Kinën si vendi më i populluar…