Delegacioni i bizneseve amerikane diskuton mundësitë e bashkëpunimit me bizneset kosovare
Përfaqësues të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë kanë pritur në vizitë delegacionin e bizneseve amerikane të udhëhequr nga konsullja e përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Teuta Sahatqija, ku bizneset anëtare patën rastin të shkëmbejnë mundësi bashkëpunimi me ato amerikane si dhe krijimin e lidhjeve të reja në sektorë të ndryshëm.
Drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, ka thënë se ky takim është një mundësi e mirë për të ndërtuar dhe krijuar bashkëpunime të reja me kompanitë amerikane, si dhe një rast i veçantë që bizneset amerikane të njihen me disa nga storiet e suksesit të Kosovës.
Zeka ka falënderuar Sahatqijën jo vetëm për punën e saj në përfaqësimin e Kosovës në Nju Jork por edhe në ndërtimin e marrëdhënieve mes bizneseve si dhe nxitjen e relacioneve ekonomike mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës e cila është edhe misioni i Odës Ekonomike Amerikane.
Konsullja e përgjithshme e Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija, ka thënë se prioritet kryesor mbetet krijimi i lidhjeve dhe partneriteteve mes bizneseve kosovare dhe atyre amerikane, si dhe përmirësimi i imazhit të kompanive të Kosovës në tregjet ndërkombëtare.
Ajo ka thënë se përmes kësaj vizite janë duke synuar bashkëpunime të reja për bizneset e vendit tonë, duke pasur parasysh kapacitetet e tyre gjë e cila do të ndikojë edhe më tutje në krijimin e imazhit të Kosovës si një vend i përshtatshëm dhe atraktiv për investime të huaja.
Themeluesi dhe shefi ekzekutiv i kompanisë amerikane MD Squared Property Group, Michael Mintz, ka thënë se kapacitetet e të rinjve dhe ndërmarrësve në Kosovë si dhe talenti i tyre janë të jashtëzakonshme.
Ai ka thënë se janë mjaft të impresionuar me zhvillimin e bizneseve në Kosovë si dhe mbështetjen e sektorit privat dhe qeverisë në kultivimin e kapitalit njerëzor si dhe lehtësirave të tjera në zhvillimin e bizneseve në vend.
/Epoka e re/