Delegacioni i BQK-së në Uashington, në fokus të takimeve qasja në sistemin e pagesave të shpejta të BE-së

28 tetor 2024 | 16:07

Delegacioni i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), kryesuar nga guvernatori, Ahmet Ismaili, gjatë vizitës në Uashington, u takua me drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor, Evropën dhe Azinë Qendrore në Bankën Botërore (BB), Xiaoqing Yu dhe drejtuesit e lartë Pesme, Natarajan, menaxherin për Kosovë, Paolucci me bashkëpunëtorët e tyre.

Takimi u fokusua në shqyrtimin e mundësive për funksionalizimin e infrastrukturës teknike të nevojshme për qasjen në sistemin e pagesave të shpejta të BE-së, duke u mbështetur në praktikat më të mira të aplikuara nga bankat qendrore të Eurosistemit.

Gjithashtu, u diskutuan opsionet e financimit dhe zhvillimit të infrastrukturës së sistemit të pagesave për të lehtësuar pagesat e shpejta vendore dhe ndërkufitare.

Në këtë takim morën pjesë edhe guvernatorët dhe zëvendësguvernatorët e Bankës Qendrore të Malit të Zi dhe Shqipërisë, si dhe ekipi teknik i Bankës Botërore që mbështet shtetet e Ballkanit Perëndimor në projektin rajonal për modernizimin e sistemit të pagesave dhe aplikimin në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).

Palët u dakorduan për bashkëpunim të ngushtë teknik me qëllim funksionalizimin e infrastrukturës teknike që mbështet qasjen në SEPA dhe integrimin në sistemet e pagesave të Bashkimit Evropian, si synim përfundimtar i përbashkët.

Guvernatori Ismaili me këtë rast falënderoi ekipin e BB-së për mbështetjen e vazhdueshme ndaj BQK-së, duke mirëpritur angazhimin për financimin dhe asistencën teknike për realizimin e këtij projekti.

Ky takim njëherësh përmbylli vizitën e delegacionit të BQK-së në kuadër të takimeve vjetore të FMN-së dhe BB-së, të mbajtura në Uashington.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jon Arifi shpall të pavlefshme Diplomëm dhe deftesat e shkollës…