
Delegacioni i BQK-së zhvillon takime të rëndësishme në selinë e FMN-së
Delegacioni i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i kryesuar nga guvernatori Ahmet Ismaili, po vazhdon të zhvillojë takime të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të Takimeve Pranverore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), që do të zgjasin nga 21 deri më 26 prill.
Në takim me ekipin e Departamentit për Tregjet e Parasë dhe Kapitalit në FMN të kryesuar nga Jennifer Elliot, Këshilltare Rajonale në Departamentin për Tregjet e Parasë dhe Kapitalit në FMN, u diskutua mbi ecurinë e rekomandimeve të dhëna nga misionet paraprake të FMN-së, përfshirë Rishikimin e Stabilitetit të Sektorit Financiar (FSSR), Vlerësimin e Masave Mbrojtëse (Safeguard Assessment), si dhe nivelin e kënaqshëm të zbatimit të asistencave teknike të ofruara deri tani.
Në veçanti, u diskutua për vazhdimin e mbështetjes së FMN-së në fushat e mbikëqyrjes bankare, të sigurimeve dhe pensioneve, stabilitetit financiar, sigurisë kibernetike, si dhe avancimin e kornizës institucionale dhe ligjore të BQK-së.
Gjithashtu, delegacioni i BQK-së u prit edhe nga drejtuesit më të lartë të Institutit për Zhvillimin e Kapaciteteve (ICD) në FMN, i kryesuar nga drejtori Dominique Desruelle, ku diskutimet u fokusuan në mundësinë e mbështetjes së BQK-së për rishikimin dhe zhvillimin e modeleve makroekonomike të përshtatura për nevojat e sektorit real dhe financiar në Kosovë, me qëllim forcimin e analizave për politikëbërje dhe parashikim ekonomik, si dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore në këtë fushë.
Guvernatori Ismaili prezantoi prioritetet e BQK-së dhe falënderoi FMN-në për mbështetjen e vazhdueshme në këtë drejtim, derisa ekipet e FMN-së vlerësuan lart angazhimet e BQK-së.
Në kuadër të vizitës zyrtare në Uashington, delegacioni i BQK-së ka zhvilluar takime bilaterale edhe me drejtuesit e institucioneve partnere ndërkombëtare.
Guvernatori Ismaili, së bashku me delegacionin zhvilloi një takim edhe me Christian Rossler, zëvendëspresident për Banking, Huazim dhe Financim në institucionin Clearstream, pjesë e Grupit të Bursës Gjermane me seli në Luksemburg.
Gjatë takimit u diskutua mundësia e krijimit të bashkëpunimit ndërmjet BQK-së dhe Clearstream në fushën e menaxhimit të rezervave ndërkombëtare, përfshirë ofrimin e shërbimeve të ruajtjes (Custody), si dhe qasjen në produkte dhe shërbime të avancuara të tregjeve financiare, si huadhënia dhe huamarrja përmes letrave me vlerë.
Zhvillimi i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi do t’i mundësojë BQK-së të integrojë zgjidhje moderne teknologjike në proceset e menaxhimit të mjeteve, duke rritur efikasitetin operacional dhe njëkohësisht duke krijuar potencial për gjenerimin e të ardhurave shtesë përmes përdorimit të instrumenteve financiare në tregjet ndërkombëtare.