Delegacioni i FSK-së pritet në Uashington DC nga senatorja, Joni Ernst
Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pritur nga senatorja Joni Ernst në Uashington D.C.
Në takimin që ka zhvilluar delegacioni i MFSK-së me senatoren nga Iowa u diskutua për angazhimet e përbashkëta Kosovë-ShBA në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes dhe për aftësimin e Kosovës në përballje me sfidat rajonale dhe globale.
Zëvendësministri Ramadani vuri theksin tek orientimi i Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e kapaciteteve të FSK-së në mandatin ushtarak dhe të mbrojtjes bazuar në standardet amerikane.
“Për Kosovën është jetësore të vazhdojë ndërtimi i FSK-së me standarde amerikane në doktrinë, lidership, sistem të armatimit dhe në pajisje”, ka deklaruar zëvendësministri Ramadani, duke shprehur orientimin e Kosovës për partneritet të plotë me ShBA-të.
Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, nënvizoi gatishmërinë e FSK-së për të kontribuar në sigurinë e rajonit dhe më gjerë.
“FSK është e gatshme të fillojë tranzicionin në mandat ushtarak, duke u bazuar në Planin afatgjatë që e kemi të koordinuar. FSK-ja do të vazhdojë të jetë profesionale, shumetnike, e besueshme dhe e gatshme”, ka thënë gjeneral Rama.
Ndërkaq, senatorja Ernst ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e saj për vazhdimin dhe mbështetjen e Kosovës në ndërtimin e kapaciteteve për siguri dhe mbrojtje.
Në takimin me senatoren Ernst mori pjesë edhe ambasadorja Vlora Çitaku, shefi i kabinetit të ministrit të FSK-së, Jashar Ramadani, atasheu i Mbrojtjes së Kosovë kolonel Ilir Qeriqi, diplomati Frymëzim Isufaj dhe atasheu amerikan i Mbrojtjes në Kosovë koloneli, Ryan Nichols.
Delegacioni i MFSK-së po qëndron për vizitë zyrtare në ShBA lidhur me avancimin e marrëdhënieve dypalëshe Kosovë-ShBA në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
/Epoka e re/