Delegacioni i lartë i BQK-së në Bankën e Italisë për të nënshkruar letrën e qëllimit për nisjen e projektit për pagesa të shpejta (Instant Payment) – TIPS Clone

10 janar 2025 | 17:28

Guvernatori Ismaili dhe Zëvendësguvernatori Fusha u pritën në takim bilateral në selinë e Bankës Qendrore të Italisë (Banca d’Italia) nga Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorja Scotti, ku u diskutua lidhur me bashkëpunimin institucional, ecuritë dhe zhvillimet aktuale ekonomike, sektorin financiar si dhe planet strategjike.

Takimi u fokusua në projektin më të ri të dakorduar për pagesa të shpejta, i cili gjatë ditës, në një ceremoni të organizuar, u nënshkrua ndërmjet Bankës së Italisë, Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe bankave qendrore nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina.
Banka e Italisë, me aprovimin e Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Evropiane, si zhvilluese dhe operatore e sistemit të pagesave të shpejta të Eurosistemit (TIPS), do të ndërtojë sistemin TIPS Clone për të ofruar këtë infrastrukturë edhe për disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Marrëveshja e cila u nënshkrua sot bën që Banka e Italisë ta zhvillojë këtë sistem për disa prej vendeve të rajonit, përfshirë Kosovën. Ky projekt përfaqëson projektin më të rëndësishëm infrastrukturor dhe strategjik të realizuar nga BQK, në arritjen e objektivit dhe planit të saj strategjik. Një projekt i tillë paraprakisht është mbështetur nga Bordi i BQK-së, pas një analize disa mujore dhe pune intensive të ekipeve tona në nivel rajonal, si dhe takimeve të nivelit të lartë të mbajtura në Washington D.C., gjatë takimeve vjetore në vitin 2024.
Ky partneritet strategjik me Bankën e Italisë shënon një moment historik dhe vendos Kosovën në një nivel ku do të përfitojë nga ekspertiza profesionale dhe teknike, duke marrë një sistem që aktualisht Eurosistemi e përdor, deri tek përfitimet e tjera të rëndësishme në rrugën integruese, që pritet të materializohen me anëtarësimin e Kosovës në SEPA. Përveç të tjerash, çdo zhvillim i ri në sistemin e BE-së pritet të përditësohet në vijimësi edhe për Kosovën ndër vite, duke mbajtur kështu infrastrukturën e pagesave të Kosovës në hap me zhvillimet dhe inovacionet në BE.
Sipas planifikimeve të dakorduara, sistemi pritet që brenda 18-muajsh nga nisja e realizimit të jetë i gatshëm, ndërsa secili vend do të bëjë edhe përgatitjet e duhura për ndërlidhje dhe vendosje në funksion të tij. Fillimisht për pagesa lokale ndërmjet ofruesve të shërbimeve të pagesave, duke mundësuar transfertat nga një llogari në tjetrën brenda disa sekondave, të cilat mundësohen përgjatë 24/7, me qëllimin që pas hyrjes në SEPA të mundësojë edhe pagesa ndërkufitare dhe përfundimisht të ndërlidhet me sistemet e pagesave të Bashkimit Evropian.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shpreh falënderimin ndaj Bankës së Italisë, Guvernatorit Panetta, Zëvendësguvernatores Scotti, si dhe homologëve nga bankat qendrore të rajonit që kanë mbështetur dhe janë bashkuar në këtë nismë, duke mundësuar këtë projekt të infrastrukturës strategjike dhe kritike, në një kohë kur, përveç zhvillimeve teknologjike dhe risqeve që sjell ajo, edhe aspekti gjeopolitik paraqitet i rëndësishëm. Zhvillimi i sistemit nga ekipi i profesionistëve të Bankës së Italisë paraqet një faktor të rëndësishëm në suksesin e tij.

BQK është e përkushtuar të avancojë më tutje sektorin financiar, me projekte konkrete që ndihmojnë në arritjen e objektivave, me efekte të gjera për bizneset, qytetarët dhe ekonominë në përgjithësi, ndërsa bashkëpunimi ndërkombëtar ofron mbështetje në arritjen e tyre.

Krahas këtij sistemi që në mënyrë rrënjësore do të ndikojë pozitivisht në qarkullimin e parasë në ekonomi, BQK-ja do të zhvillojë edhe infrastrukturë plotësuese, që do të mbështesë instrumentet e reja, duke reduktuar paranë e gatshme dhe kostot e transaksioneve, gjë që ndihmon në disa aspekte ekonominë e vendit në kuptim të gjerë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK),…