Delegacioni i lartë i BQK-së takon përfaqësues të Departamentit të Thesarit të ShBA-së
Një delegacion i nivelit të lartë të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i kryesuar nga guvernatori Ahmet Ismaili, zhvilloi diskutime konstruktive me zëvendësndihmëssekretarin (DAS) e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Luyen Tran dhe ekipin e tij të Zyrës së Asistencës Teknike (OTA) në Uashington.
Diskutimet kishin për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, në ngritjen e kapaciteteve të BQK-së.
Në takimin me Departamentin amerikan të Thesarit, guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e sinqertë për ndihmën e çmuar teknike të ofruar nga OTA-ja dhe rolin e tyre kryesor në mbështetjen e zhvillimit të infrastrukturës kritike.
Kjo përfshinë mbështetjen në zhvillimin e Sistemit Qendror Depozitar të Letrave me Vlerë, krijimin e linjave të likuiditetit, si dhe bashkëpunimin e suksesshëm në shumë projekte të tjera për mbikëqyrjen bankare dhe sigurimeve, si dhe në kornizën e luftimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndër të tjera.
Gjithashtu, u diskutuan mundësitë e reja të asistencave teknike dhe bashkëpunimit, me qëllim të forcimit të partneritetit me Departamentin e Thesarit të ShBA-së.
Këto angazhime nënvizojnë përkushtimin e BQK-së për të kultivuar partneritet të qëndrueshëm me akterët kryesorë ndërkombëtarë, duke fuqizuar më tej misionin e institucionit për promovimin e stabilitetit financiar dhe zhvillimin të qëndrueshëm të vendit.