Delegacioni i MFSK-së qëndroi për vizitë në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel
Zëvendësministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, të cilët shoqëroheshin edhe nga koloneli Jeton Dreshaj, dje qëndruan për vizitë zyrtare në selinë qendrore të NATO-s, në Bruksel.
Në kuadër të fushatës informuese, që Ministria për FSK-në ka ndërmarrë për të informuar nga dora e parë shtetet partnere dhe partnerët strategjik, delegacioni i MFSK-së, zhvilloi takime në selinë e NATO-s në Bruksel, ku diskutoi mbi tranzicionin e FSK-së, planin dhe gatishmërinë e Kosovës, që me kapacitetet e saj operacionale, specialistike të kontribuojë në të ardhmen për paqen dhe sigurinë rajonale dhe atë globale.
Fillimisht, zëvendës ministri Ramadani dhe gjeneral Rama, si dhe delegacioni i MFSK-së, zhvilluan takime të ndara me stafin ndërkombëtar i kryesuar nga asistenti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Dr. John Manza.
Gjithashtu, delegacioni i MFSK-së, në krye me zëvendës ministrin Ramadani, zhvilloi takime edhe me përfaqësuesit e shteteve në NATO, si të: ShBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Italisë, dhe një takim të veçantë zhvilluan edhe me përfaqësuesin e Greqisë në NATO.
Gjatë qëndrimit në NATO, delegacioni i MFSK-së, patën takime edhe me përfaqësuesit e shteteve të rajonit, në NATO, si me ata të Sllovenisë, Kroacisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Maqedonisë, Bullgarisë, Turqisë dhe të Hungarisë.
Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës gjatë këtij viti ka ndërmarrë një fushatë informuese në shumë prej kryeqyteteve evropiane, për të informuar për procesin e tranzicionit të FSK-së dhe planet për të ardhmen e Forcës së Kosovës, me qëllim që të informohen partnerët strategjik dhe shtetet tjera partnere të NATO-s, si dhe shtetet evropiane; si gatishmërinë për transparencën e plotë, mbi këtë proces, dhe koordinimin e vazhdueshëm për një ecje përpara së bashku me partnerët tanë, në kuadër të qëllimit kryesor të deklaruar të vendit tonë, për anëtarësim në NATO dhe integrim në Bashkimin Evropian.