Delegacioni nga Shqipëria viziton komunën e Mitrovicës
Me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, sot ka pritur në takim delegacionin nga Shqipëria, i kryesuar nga zv/ministrja e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në Republikën e Shqipërisë, Vilma Bello.
Në përbërje të këtij delegacionit ishte edhe Këshilli i Bashkisë së Vlorës me pjesëmarrës Flamur Mamaj, Prefekt i Qarkut të Vlorës, Ervis Moçka, kryetar i Qarkut të Vlorës, zv/kryetarja e Këshillit të Bashkisë, Jonela Dervishi, si dhe anëtarët e tjerë të këtij këshilli.
Arsyeja e kësaj vizite ndërlidhet me festën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ku mes tjerash diskutuan për një varg temash për bashkëpunimin ndërmjet Mitrovicës dhe Vlorës.
Në emër të delegacionit, zv/ministrja e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Bello, e uroi kryetarin Hamza për përvjetorin e 15-të të Pavarësisë së Kosovës, si dhe shprehi gatishmërinë për ta intensifikuar marrëdhënien dhe bashkëpunimin në punë të përbashkëta.
Ndërsa kryetari i komunës, Bedri Hamza, ka falënderuar zv/ministren Vilma Bello dhe delegacionin e Këshillit të Bashkisë Vlorë për vizitën e realizuar në Komunën e Mitrovicës dhe për rritjen e bashkëpunimit të ndërsjellët.