Delegacioni presidencial takohen në Uashington me Kasanofin, diskutojnë për dialogun strategjik me ShBA-në dhe për atë me Serbinë
Gjatë vizitës në Uashington, shefja e stafit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Learta Hollaj, dhe këshilltarja për politikë të jashtme, Rejhan Vuniqi, janë takuar me zëvendëssekretarin e Shtetit, Alexander Kasanof.
Gjatë takimit janë diskutuar zhvillimet e fundit në marrëdhëniet bilaterale, me theks të veçantë te dialogu strategjik Kosovë-SHBA i cili është arritur me iniciativë të presidentes Osmani, fushat që do të mbulohen nga ky dialog strategjik si dhe pritshmëritë nga ky proces, e po ashtu çështje të tjera të interesit të përbashkët.
“Gjithashtu, duke qenë dita e parë e punës e administratës së re të udhëhequr nga Presidenti Trump, Presidenca konfirmoi përkushtimin e saj të plotë për thellimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit, duke potencuar rëndësinë e ruajtjes dhe avancimit të sigurisë si dhe fuqizimit dhe afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Nga ana e zëvendësndihmës sekretarit të Shtetit, Kasanof, u theksua rëndësia e vazhdimit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa nga Presidenca u ritheksua nevoja që dialogu të përqendrohet në njohjen reciproke”, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.