Delegacioni shtetëror për dialog s’ka legjitimitet të mjaftueshëm
Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka mirëpritur miratimin e rezolutës në Kuvendin e Kosovës për dialogun me Serbinë, por jo edhe përbërjen e delegacionit negociues.
Ajo ka thënë se delegacioni i Kosovës me përbërjen aktuale nuk ka legjitimitet të mjaftueshëm për ta përfaqësuar Kosovën në këtë proces.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tahiri ka thënë se pa përfaqësuesit e dy subjekteve më të mëdha opozitare, LDK-së dhe LV-së, legjitimitetit i këtij delegacioni do të jetë i brishtë.
“Për një marrëveshje historike në mes të Kosovës dhe Serbisë, Kosova duhet të ketë një delegacion që shpreh legjitimitetin e plotë të përfaqësuesve. Mungesa e përfaqësuesve të dy partive më të mëdha opozitare në këtë delegacion tregon se ky delegacion nuk ka legjitimitet të mjaftueshëm. Madje mund të them se ky delegacion ka legjitimitetit të brishtë, se pjesa më e madhe e votuesve shqiptarë janë me partitë opozitare”, ka thënë Tahiri.
Ajo ka shprehur kritika edhe për udhëheqësit e delegacionit, duke thënë se ata vijnë nga subjekte politike të vogla.
“Dy bashkëkryesuesit janë nga partitë minore, të vogla. Pra, Nisma është një parti e vogël, kurse PSD-ja jo që është parti e vogël, por ky subjekt politik ende nuk e ka matur legjitimitetin e vet qytetar. Pra, nuk janë bërë zgjedhjet për të parë nëse PSD-ja ka legjitimitet apo jo. Për bisedime me karakter historik në mes të Kosovës dhe Serbisë, delegacioni i Republikës së Kosovës duhet të ketë legjitimitet të plotë dhe unitet të gjerë mes shqiptarëve”, është shprehur Tahiri. Ajo ka deklaruar se koalicioni qeverisës është dashur të bëjë më shumë përpjekje për ta bërë pjesë të këtij delegacioni LDK-në e LV-në.
Megjithatë, ish-ministrja Tahiri ka përmendur të mirat e rezolutës për dialog të miratuar në Kuvendin e Kosovës në fund të javës së kaluar.
“Ana pozitive e kësaj rezolute është se aty ekziston formulimi se është kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës. Po ashtu, përmendja në rezolutë e njohjes reciproke në mes të dy shteteve është me vend, sepse vetëm njohja reciproke mes dy vendeve mund të sjellë një paqe të qëndrueshme dhe një fqinjësi mes dy shteteve”, ka deklaruar Tahiri.
“Epoka e re”: Znj. Tahiri, më në fund Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë për dialogun me Serbinë. Cili është komenti juaj për këtë dokument?
Tahiri: Nuk e kam parë versionin zyrtar të kësaj rezolute sepse jam jashtë Kosovës. Mirëpo aq sa kam lexuar përmes medieve, e shoh si pozitive nxjerrjen e kësaj rezolute. Ky dokument mbyll rrugën e temës së kufijve që të diskutohen në Bruksel dhe është një vendim shumë i rëndësishëm sepse këtë vit Kosova ka qenë e sfiduar me këtë çështje nga vetë zonja Mogherini, e cila lejoi që të diskutohet tema e kufijve në Bruksel, duke shkelur mbi parimet evropiane. Në këtë drejtim edhe presidenti ynë bëri gabim duke pranuar që të diskutojë për këtë temë, ndërsa Serbisë i konvenon kjo temë sepse ajo u përpoq që gjatë këtij viti ta krijojë Serbinë e madhe në dëm të tokave të Kosovës. Pra, ana pozitive e kësaj rezolute është se aty ekziston formulimi se është kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës. Po ashtu përmendja në rezolutë e njohjes reciproke në mes të dy shteteve është me vend sepse vetëm njohja reciproke mes dy vendeve mund të sjellë një paqe të qëndrueshme dhe një fqinjësi mes dy shteteve. Dëgjova që rezoluta kishte edhe një draft-dokument për negociata, por këtë nuk e kam parë dhe nuk dua ta komentoj më shumë.
“Epoka e re”: Kjo rezolutë parasheh edhe përbërjen e delegacionit të Kosovës, ku janë të përfshirë përfaqësuesit e pozitës dhe të opozitës?
Tahiri: Mendoj se faza finale e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të nxjerrë një marrëveshje historike në mes dy shteteve. Kjo marrëveshje historike mund të ketë rëndësi vetëm nëse sjell njohjen reciproke në mes të dy shteteve, si dhe respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të dy vendeve. Për një marrëveshje historike në mes të Kosovës dhe Serbisë, Kosova duhet të ketë një delegacion që shpreh legjitimitetin e plotë të përfaqësuesve. Mungesa e përfaqësuesve të dy partive më të mëdha opozitare në këtë delegacion, tregon se ky delegacion nuk ka legjitimitet të mjaftueshëm. Madje mund të them se ky delegacion ka legjitimitet të brishtë, sepse pjesa më e madhe e votuesve shqiptarë janë me partitë opozitare. Qeveria, edhe pse ka menduar se po bën mirë duke u nxitur të krijojë këtë mekanizëm, në fakt ka bërë gabim sepse nuk ka arritur të ndërtojë një unitetet kombëtar, politik dhe funksional për një delegacion i cili do të përfaqësonte legjitimitet të plotë. Së dyti, nuk është në pyetje vetëm legjitimiteti demokratik, sepse marrëveshja që del nga procesi i Brukselit duhet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës si marrëveshje ndërkombëtare. Dhe të gjithë e dimë se duhen dy të tretat e votave në Kuvend për miratimin e kësaj marrëveshje. Pra, mendoj se ka mangësi në këtë qasje dhe në këtë delegacion.
“Epoka e re”: Delegacioni do të bashkëkryesohet nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj. Si e keni parë këtë formulë të përfaqësimit?
Tahiri: Dy bashkëkryesuesit janë nga partitë minore të vogla. Pra, Nisma është një parti e vogël, kurse PSD-ja jo që është parti e vogël, por ky subjekt politik ende nuk e ka matur legjitimitetin e vet qytetar. Pra, nuk janë bërë zgjedhjet për të parë nëse PSD-ja ka legjitimitet apo jo. Për bisedime me karakter historik në mes të Kosovës dhe Serbisë, delegacioni i Republikës së Kosovës duhet të ketë legjitimitet të plotë dhe unitet të gjerë mes shqiptarëve. Gabimin tjetër që e ka bërë Qeveria është se ka vendosur opozitën para aktit të kryer. Në këtë mënyrë gati ia ka mbyllur rrugën opozitës për të marrë pjesë në këtë proces. Tashmë Qeveria ka dalë me rezolutë, me delegacionin e saj dhe me bashkëkryesuesit. Pra, Qeveria nuk ka treguar se ka qasje vizionare në këtë drejtim. Mirëpo e mira e kësaj pune është se kryeministri Haradinaj dhe Qeveria i është kthyer dialogut. Siç jeni të njoftuar, në fillim të mandatit kjo Qeveri dhe ky kryeministër thanë se nuk merren me procesin e dialogut të Brukselit. Dhe në këtë mënyrë jo vetëm se shkelen mandatin e dhënë nga Kuvendi i Kosovës, por në një mënyrë i hapen rrugën edhe temës së kufijve. Hapjes së temës nga presidenti për çështjen e kufijve i ka ndihmuar edhe Qeveria duke hequr dorë nga procesi i dialogut. Në këtë drejtim, gjatë këtij viti dëmet janë bërë tashmë jo vetëm në planin e brendshme që ka përçarë skenën politike, por edhe në planin ndërkombëtar janë bërë dëme, sepse duke folur për kufijtë e shtetit tonë, kemi vënë në dilemë jo vetëm shtetet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, por edhe këto që e kanë njohur shtetin tonë. Madje për shkak të kësaj një pjesë e këtyre shteteve nuk na votuan edhe në Interpol.
“Epoka e re”: Dy subjektet më të mëdha opozitare i kanë të garantuara vendet në këtë delegacion, por ato kategorikisht po refuzojnë të bëhen pjesë e këtij procesi pa shkuar në zgjedhje të reja.
Tahiri: Vetë fakti se dikush duhet t’i bashkohet këtij ekipi tregon se është mungesë e frymës së partneritetit. Këtu nuk kemi të bëjmë me një proces zgjedhor pozitë dhe opozitë. Këtu duhet të gjithë së bashku, me partneritet dhe bashkëpunim, të shkojnë në bisedime me ish-armikun. Pra, pikërisht kur dikujt i thuhet bashkohu, i tregon se nuk e njeh si partner të barabartë. Derisa në raporte të brendshme raporti është i qartë, një palë është Qeveria, pala tjetër është opozita. Përballë Serbisë dhe në bisedime të gjithë janë të njëjtë, sepse atje do të shkojnë ta mbrojnë interesin shtetëror dhe kombëtar. Po të kishte lidership vizionar kjo Qeveri do të bënte çmos që të krijonte një delegacion gjithëpërfshirës.
“Epoka e re”: Në anën tjetër, ShBA-ja, BE-ja dhe partnerët e tjerë të Kosovës e kanë përkrahur miratimin e kësaj rezolute, pavarësisht prej kundërshtimit të fortë të dy partive të tjera opozitare?
Tahiri: Ata e kanë përshëndetur sepse e kanë parë përkushtimin e shtetit tonë për dialog, por ajo që po më pyetni mua ka të bëjë me politikat tona të brendshme. Partnerët tanë ndërkombëtarë merren me politika të jashtme të Kosovës dhe si politikë e jashtme ne duhet të tregojmë se jemi për dialog. Kurse në politikat e brendshme ne duhet të dimë se kur e fituam këtë luftë për liri e pavarësi, e fituam se ishim të gjithë bashkë si shqiptarë. Unë hapur po ftoj në një unitet të shumicës shqiptare të përfaqësuar në delegacionin e Republikës së Kosovës. Këto janë politika tona të brendshme strategjike që ne duhet t’i kemi parasysh dhe duhet të jemi të zotë për t’i bërë ato.
Muhamet KOCI