Deliktet e gjakut – veprat kundër jetës dhe trupit

17 gusht 2023 | 16:36

Qasje nga aspekti kriminalistik

Shkruan: Arben Dashevci, kriminalist dhe njohës i çështjeve të sigurisë

Së pari i kërkoj falje lexuesit sepse është hera e dytë që shkruaj për këtë dukuri të shëmtuar që po na shqetëson pa masë. Kam shkruar në vitin 2021 në gazetën e respektuar “Epoka e re” për “Vrasjet dhe vetëvrasjet”.

Ështe hera e dytë tashmë sepse apeli po e mund komoditetin/komfort-zonën, tema po e mund gabimin eventual në ndonjë pikë ose presje.

Apeli dhe dashnia ndaj shtetit tim, Kosovës të ndërtuar me gjak dhe sakrifica, me shumë dëshmorë, martirë dhe civil të vrarë, gra e motra tona të dhunuara nga armiku, më bënë të shkruaj edhe një herë për këtë temë aspak të këndshme dhe shumë komplekse, por ja që kriminalisti këtë obligim e ka dhe dikush duhet të shkruaj sepse është apel dhe mbetet si i tillë.

Vrasjet kanë ndodhur dhe do të ndodhin gjithmonë, kanë filluar me vëllavrasje, vëllai e ka vrarë vëllain, do të vazhdojnë dhe nuk do të ndalen, mirëpo do te mbetet vepër e shëmtuar dhe vrasësi do ta bartë atë peshë dhe nuk do të jetë rehat për sa ka jetë në planetin tokë.

Ne në Kosovë kemi shumë probleme, ne kemi momentalisht aq shumë probleme, sa që problemet duhet t’i ndajmë në prioritete për fatin tonë të keq.

Ikën rinia, po ikin në heshtje dhe pa ta si të ndërtohet ose mirëmbahet shteti.

Kur duhet të fokusohemi në veri të vendit duke pasur parasysh që jemi në momentet kruciale që ta përfundojmë problemin me Serbinë, ne vrahemi/sakatohemi mes vehte duke u bërë copa-copa dhe pa asnjë pike mëshire ndaj nëri-tjetrit.

Ta merr mendja jemi armiq mes vehte por në fund as vrasësi dhe as i vrari nuk po e dinë se pse e vrau ose u vra.

Të vrasësh dikë pa arsye tepër të madhe dhe në vetëmbrojtje tepër ekstreme, është sikur të kesh vrarë krejt botën. Kjo po shkakton shqetësime në popullatë të dalur nga lufta me plot e përplot probleme dhe trauma. Këto vrasje të fundit brutale që janë bërë ditore tashmë, po na tmerrojnë dhe janë tmerr dhe vetëm kështu quhen, tmerr.

Vrasjet po ndodhin si në WILD WEST dhe është dukuri e shëmtuar ta shikosh në lajme, na shkatërroi si popull po na e prish imazhin si popull duke u vrarë ndërmjet vete.

Armiku më i madh i shqiptarit është shqiptari. Si mund të çohet dorë aq lehtë në njeriun dhe ta vrasësh, me çfarë të drejte e bën atë?

Aspekti Kriminalistik

Është e rëndësishme që të theksohet në pika të shkurta që mos të bëhem monton dhe të hy në detaje se “vdekja e natyrshme”, ajo që quhet “vetëvrasje” apo  zhdukja e personit (vrasje etj) nuk do të thotë se ato nuk konsiderohen si raste te dyshimta.

Sapo të veçohen këto raste, ato menjëherë bëhen objekt i përpunimit kriminalistik dhe eventualisht, edhe i hetimit formal.

Në të vërtetë, çdo vdekje jo e natyrshme në 24/7 i nënshtrohet përpunimit kriminalistik i cili nënkupton automatikisht edhe veprime të caktuara hetimore (shikimi, ekspertiza, etj.) të cilat ndërmerren me qëllim të përcaktimit të shkakut të vërtet të vdekjes.

Gjithçka fillon me këto shkronja të arta kriminalistike

Ҫka (ka ndodhur?), Pse (është kryer?), Kush (është kryesi?), Kënd ose çka?Kur (e ka kryer?), Me kë (është kryer?), Ku (është kryer?), Si (është kryer?), Me çka (është kryer?).

Sa hulumtojmë ne në këtë aspekt, pse po ndodhin këto vrasje dhe vetëvrasje? Janë shpeshtuar aq shumë. A duhet të sillemi komod dhe të bëhemi thuajse nuk është duke ndodhur asgjë, kurse jemi përafërsisht vetëm 1.8 milion banorë(nuk ka regjistrim të popullsisë).

A nuk kemi pak turp, pse sillemi sikurse asgjë nuk po ndodhë, pse sillemi kështu, pse jemi komod kur duhet të jemi në alarm, sepse diçka nuk është në rregull.

Ku është preventiva dhe ku po mbetë ajo kur preventiva duhet te jetë primarja absolute, pse s’po reagojmë, reagojmë vetëm kur është kryer akti dhe me atë akt është përfundimi, mbaron çdo gjë.

Ku janë psikologët, psikiatrit dhe neuropsikiatrit, pse nuk u jepni hapësirë në TV këtyre njerëzve, kurse debatuesve politikë u jepni hapësirë çdo ditë dhe janë bërë si seriale venecuelase.

Pse nuk i hapim sytë  dhe të themi se po, kjo dukuri është bërë ditore, andaj duhet të veprojmë, a nuk ju vie pak turp?

Ju që jeni përgjegjës:

Ju lutem veproni dhe reagoni, na shpëtoni, frenoni këto gjëra të shëmtuara dhe shumë të rënda për t’u shkruar nga ana ime, por edhe më të rënda për t’u lexuar nga ana juaj.

Dikush duhet të shkruaj edhe për këto tema të shëmtuara.

Është obligim i imi si kriminalist dhe jurist të shkruaj dhe APELOJ, përndryshe nuk dua të ekzistoj fare.

Në fund:

Betimi i hetimit praktik të vrasjeve (Metodika kriminalistike)

Hetimi i vrasjeve është detyrë shumë komplekse kërkimore që i besohet zyrtarit të policisë.

Ju si zyrtar i policisë të cilit i është besuar kjo detyrë keni obligim të zhvilloni konceptin për dinamikën dhe parimet e zbatimit profesional të hetimit të vrasjeve.

Hetimi praktik i vrasjeve përmban idenë që »të gjitha çështjet të kryhen drejt për herë të parë« dhe që »dija është forcë«, dija është avancuar nga përvoja, fleksibiliteti dhe arsyeja e shëndoshë.

Hetuesit duhet të jenë në gjendje t’i shfrytëzojnë taktikat, procedurat dhe teknikat forenzike gjatë gjurmimit për të vërtetën, e pastaj të përcjellin rrjedhën e ngjarjes dhe fakteve, derisa të arrijnë deri në konstatimin përfundimtar.

Hetimet e ngjarjeve që kanë për pasojë vdekjen ngërthejnë në vete një përgjegjësi të madhe, kështu që hetuesit nuk duhet t’i lejojnë asnjë personi që ta largojë nga e vërteta dhe nga vendosmëria që të vendosë drejtësinë, jo vetëm për shkak të viktimave, por edhe për shkak të familjarëve të tyre.

Mbani mend: Ju punoni për hatër të Zotit!

Mitrovicë 17.08.2023

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Interi kërkon një goditje të fundit për të kompletuar skuadrën…