DËLIRËSI E VRARË
LOLA SHEHI-ÇELA
Në ç’kreshta malesh u dëgjua klithma e dhimbjes
Kur të pashpirtët me thonj skifterësh ta morën dëlirësinë
Sa lot dhimbje derdhi mbi gjoksin qumështor hëna
Kur shtatin e njomë me bajoneta të akullta ta shqynë?
Ç’lumenj lotësh ta shuan etjen mbi buzën që digjej eshkë
Në sa thërrmija ta grisën jelekun me shqiponjë qëndisur
Ç’duar të ndyra durove mbi mollëzat rozë në pjeshkë
Ku e more forcën e qëndresës në gjendje të katandisur
Në ç’petale lulesh e fshehe atë bukuri shenjtoreje
Ç’krua kalonte aty pranë ku lotin e pafajësisë ia le amanet
Gërshetat ngjyrë ari me fjongo gjaku zbukuruar
Mos vallë t’i morën zogjtë përmbi fletë?
E shtrenjta ime, lëshoma një dritë e m’ndriço natën pendëkorbi
Eja në ëndërr ta provosh fustanin e bardhë të nusërisë
Ende të pret kali i dasmës jelezbukuruar
Te pragu janë krushqit me flamurin e kuq të lirisë
Lëshoma një piskamë sa të tunden bjeshkët që heshtin
Të derdh një lot të zi mbi vendin ku ta njollosën dëlirësinë
Të marr një grusht dhe, ta ruaj në honet e zbrazura të shpirtit
Derisa të vij dhëndërr… veshur me qefin…
(Kjo poezi është botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020)