DELIRI BALLKANIK I EDI RAMËS
Shkruan: Bedri Islami
Shumë vite më parë, në njërën nga idetë e tij të çastit dhe që shumë shpejt i kuptonte se ishin të çmendura, Adem Demaçi,njëri nga shqiptarët më të njohur të kohës për ndjenjën e tij nacionale dhe lirshmërinë e shpirtit, shpalli, krejt befas, idenë e tij për Ballkanin.
Ishte e papritur, një lloj shkrepje e beftë dhe e çoroditur, si mund të ndodhë me shumë gjëra të papjekura dhe që shkrepin në një çast hutimi politik, apo, edhe më tej se kaq, kur halucionacioni politik, të bëhet ves i të menduarit të politikës.
Adem Demaçi ishte një njeri I politikës që shpesh herë ngulte këmbë në të vetën deri në fund, por, në raste të tjera, po kaq befas, nuk e kishte për turp të prapsej, sipas devizës së tij të njohur se, “vetëm i marri dhe i vdekuri nuk ndryshon”.
Kur ai shpalli “doktrinën” e tij për Ballkanin, bëra shkrimin “Ballkania mos ardhtë kurrë, o Adem Demaçi”, jo vetëm si një mendim timin vetjak, por si qëndrim politik të një strukture që kishte ngritur një force të furishme çliruese, si ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe, në fakt, megjithëse Demaçi ishte, ndoshta, njeriu më i dashur për ata që do të luftonin, askush nuk e mbështeti në teorinë e tij.
Demaçi gjeti burrërinë e tij dhe u tërhoq.
Nuk e kisha menduar se 21 vite më pas, një tjetër figurë politike shqiptare, do të kthehej në këtë ide dhe,për më tepër, të përgjysmuar dhe të cunguar, në krahun e një shteti që, pasi ka humbur hegjemoninë ballkanike, çka e sjell gjithnjë në ëndrrën e tij, që i dale nga tri lufta, pikërisht në këtë tokë ballkanike, ende nuk ka zënë mend nga e shkuara dhe nuk e sendërton dot të ardhmen, pa nacionalizmin e tij nallçanik.
Kur e takova Demaçin, pas shpalljes së idesë së tij, i pata thënë në mirëdashje se,“bacë, po shkon drejt idesë së Titos për të pasur një federatë ballkanike, dhe, ti e di se në këtë panel nuk mund të futet askush, dhe asgjë nuk të çon drejt së mirës”. Edhe i pata shkruar, por Demaçi, ashtu I sinqertë si ishte dhe i hapur deri në fund, qeshi, dhe pak ditë më pas, e harroi idenë e tij.
Tani, Rama, me bujë dhe me pozat e një shtetari që sheh gjithë truallin ballkanik si fushën e tij të politikës, si duket, ka gjetur lojën e tij të re dhe është marrosur pas idesë së Minishengenit apo një “principate miniballkanike”, ku, sipas rotacionit, ai do të jetë njëri nga tre princërit.
Si shumë gjëra të tjera, sidomos në dy vitet e fundit, edhe kësaj here, megjithë petkun evropian që mundohet ta mbështjellë, Rama paraqitet si një politikan province, që i zemëruar se nuk arriti t’u mbushë mendjen zotërve të mëdhenj të Evropës, vendos të hapë një lojë luftërash në oborrin e shtëpisë së tij dhe duke e kaluar topin here pas here edhe në fqinjët e tij.
Çfarë ishte ky Miniballkan apo Minishengen, që, në të vërtetë nuk ka asgjë të ngjashëm me Shengenin e vërtetë dhe as me shkarkimin e ngarkesave ballkanike?
Dy a tri ditë më parë, shefi i emëruar i diplomacisë shqiptare, i cili vjen nga viset shqiptare në Kosovë, bëri përcaktimin e saktë të një shteti fqinj, Serbisë, si vend me ngarkesa dhe faje të mëdha të së shkuarës. Një përcaktim i saktë, që ndoshta mund të shkohet edhe më tej, si një vend që,në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të shkuar, mbi kurrizin e tij ka tri luftëra, ku janë humbur më shumë se 100 mijë jetë njerëzore, janë bërë masakra të pafund dhe që asgjë nuk ka mësuar nga e shkuara.
Pikërisht, është shteti serb që ka servirur këtë ide, si një lloj paradhome, tek e cila mund të strehohen lehtësisht ide të çoroditura, disa nga të cilat rrjedhin nga Naçartanja e disa të tjera mund të vijnë edhe nga stepat e politikës ruse, të cilat, si zakonisht, ngrijnë rrugën shqiptare drejt Evropës.
Një krijesë e tillë nuk mund të jetë kurrë Miniballkan, pasi Ballkani nuk përbëhet nga vetëm tre shtete, por është shumë më i gjerë, më i hapur dhe më paneuropian se sa Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Që të ketë një Minishengen do të duhej të ishin, edhe kështu do të ishte një lidhje e mangët, Bullgaria, Rumania, Greqia, Kroacia, Sllovenia, Bosnja, Mali i Zi,Turqia, pra, një përziere mes shteteve me politika të ndryshme, qëndrime të ndryshme dhe të përfshira në pjesë të ndryshme. Disa prej tyre janë pjesë të NATO-s të tjerat, jo; disa bëjnë pjesë në Bashkimin Evropian, të tjerat, jo; disa kanë aspirata më të mëdha, të tjerat ende nuk kanë kaluar pragun e shtëpisë së tyre.
Shqipëria, përmes shefit të qeverisë dhe, deri tani, askush nuk e di se si i lindi kjo ide, kërkon të krijojë një aleancë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe e kanë marrë me aq vrull dashuronjës, sikur koha e deritashme nuk kishte qenë e mjaftueshme.
Me cilët?
Serbia, në Kushtetutën e saj, e përcakton Kosovën si një pjesë të saj dhe qëndrimet e deri tashme të saj nuk kanë lëvizur, dhe, siç duket, as nuk kanë ndër mend të lëvizin. Jo vetëm kaq, por që 20 vite, kur de fakto Kosova u bë e lire, ajo nuk ka reshtur së bëri gjithë makinacionet e botës, që nga më të hapurat e deri më të mbyllurat, për t’i prerë rrugën asaj në çdo hap që ka hedhur apo që mund të hidhte. Miliona euro po harxhon qeveria serbe, që shtete të ndryshe të tërheqin njohjet e bëra më parë ndaj shtetit të Kosovës; dhjetëra milionë të tjera po shpërndan për të mbjellë destabilitet dhe pasiguri, shpërndan miliona për të rrënuar pavarësinë e saj dhe për të krijuar një gjendje të paqëndrueshme. Synimi i Serbisë, i shprehur edhe përmes liderëve serbë me të cilët sot bashkërendon Edi Rama, është të shkëputin sa më shumë pjesë të Kosovës, në ndarjen e saj, ridefinimin e kufirit…
Rama theksoi se Kosova u vetë përjashtua..por nuk e mendoi se me cilin status do të ishte Kosova aty, në mexhliset e bashkëbisedimeve serbo – shqiptare – maqedonase?
Si shtet në vete, që Serbia nuk e ka njohur, si krahinë – që tashmë është miopi ta mendosh, si Republikë…me cilin status do të vendosë dhe kush mund të jetë ai lider shqiptar në Kosovë që do të mund të marrë përsipër një barrë të tillë, e cila, në një kohë jo të vonët, mund të ishte trajtuar, jo pa të drejtë, si akt tradhtie ndaj vendit të tyre.
Përcaktimi i Kosovës si pjesë e Serbisë e përjashton atë nga takime të tilla, pasi në Kushtetutën serbe, si Kosova, si Vojvodin, kanë status të njëjtë…
Por, edhe nëse liderët në Kosovë kanë një çast çmendurie dhe e përkrahin këtë ide, përsëri është mbetet e prapstë, e dëmshme dhe hap shumë prapa në politikën shqiptare drejt Evropës.
Pastaj, nga do e bëjë Vuçiq dhe Rama lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave? Përmes Maqedonisë së Veriut? Përmes Malit të Zi? Duke e izoluar, injoruar dhe mos njohur Kosovën? Nëse e bën përmes Kosovës, si do e njohë Rama shtetin e Kosovës? Po presidenti serb?
Për Ramën është më e lehtë të hedhë në gjyq ish kryeministrin e Kosovës, se sa të merret vesh me të, të paktën sa gjysma e asaj që po mirëkuptohet budallshëm me presidentin serb!
Gjërat duhen bërë me themel, duke u nisur nga kombëtarja dhe duke shkuar drejt infinitit internacional. Nëse Rama dhe Zajev kanë të njëjtin hall, portat që u mbyllën, qoftë edhe përkohësisht, për të shkuar dikur në Evropë, dinjitoz dhe të mire pritur, kjo nuk ka të bëjë me atë që është përjetuar në trevat shqiptare jashtë Shqipërisë londineze.
Politikan modern nuk mund të jesh,ndërsa e quan arkaike nacionalen, nëse shfaqesh i hapur, deri në shqyerjen e portave, me njerëz të politikës, të cilët, më përpara mendojnë copëtimin e shtetit të Kosovës dhe përfshirjen e Shqipërisë në një ëndërr të vjetër pansllave.
Dy nga shtetet e përfolur, liderët e të cilëve po përqafohen deri në mallëngjim, nuk janë pjesë e NATO-s. Shqipëria është. Ajo bën pjesë në një strukturë të përbashkët më fuqitë më të mëdha perëndimore. Mbështetet prej saj, në të njëjtën kohë kur Serbia mbështetet nga perandoria ruse me armët më të sofistikuara. Kundër kujt përgatitet shteti serb? A nuk i mjaftuan tri lufta në Ballkan dhe mendon se mund të ketë një të katërt?
Përfitimet e përfolura, për kalime të lira të kufijve, vetëm përmes një dokumenti, çka ekziston me Maqedoninë e Veriut, lehtësimi i tatimeve dhe çlirime të tjera financiare, po ashtu, nuk janë në dobi të shtetit shqiptar, i cili, ende nuk e ka gjetur rrugën e duhur në bashkëpunimin me Kosovën, e cila, edhe pse vendosi një taksë 100 për qind ndaj shtetit serb, nuk përfitoi si e sa duhej nga ekonomia e shtetit shqiptar.
“Kosova u vetpërjashtua”-, deklaroi shefi i qeverisë shqiptare, i cili i ka hyrë në këmbë një aventure të pazakontë dhe pa pasur miratimin e asnjë strukture tjetër, pa u konsultuar me historianë, ekonomistë, politikanë, me akademikë, njerëz të mençur, çka e ka bërë prej kohe shteti serb.
Aventura e tashme mund të jetë e dobishme, për pak kohë, për imazhin e shefit të qeverisë në vendet e ndërlidhura në këtë Miniballkan, por do të jetë e dërmuar në bashkëkombësit e tij.
Euforia nuk është shenjë e suksesit dhe e dobisë.
Euforia është çasti që sjell dëshpërim.
Në fund të fundit, ky vend, nuk është çiflig i askujt e aq më pak i një njeriu që, duke qenë kryeministër, mendon se mund ta sjellë atë në majën e gishtërinjve të dorës së djathtë.
Shteti dhe kombi nuk duhet të paguajë për delirin e askujt!