Deliu akuzon qeverinë për bllokimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare
Partia Demokratike e Kosovës po akuzon Qeverinë Kurti se ka bllokuar vendin në aspektin ndërkombëtar. Partia më e madhe opozitare e quan përjashtuese ndaj spektrit politik qasjen e kryeministrit Kurti në raport në dialogun me Serbinë. Derisa, e kritikojnë atë se ka thyer “traditën” për diskutim të 100 ditëshit në Kuvend.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra thotë se vendi është në një “status qou” në aspektin ndërkombëtar, sipas saj, Kurti është ndër kryeministrat e rrallë që shkon në takimet e dialogut, pa platformë dhe pa raportuar në Kuvend.
Ajo për KosovaPress ka folur edhe për debatin parlamentar të së hënës në Kuvend, reagimin e qeverisë në rastin e fatkeqësive që i ndodhën vendit javëve të fundit dhe nevojën për ulje të çmimeve të biletave të kompanive ajrore për bashkatdhetarët tanë.
“Kosova është bllokuar në aspektin ndërkombëtar. Nuk kemi lëvizje ndërkombëtare të Kosovës në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Vendi është në status qou në aspektin ndërkombëtar. Unë e kuptoj se në raport me Serbinë ne do të duhej të ishim shumë të fuqishëm të formateve të tilla, pasi bëhet fjalë për një agresor që tenton të bllokoj Kosovën. Por kjo qasje e zotit Kurti përjashton spektrin tjetër politikë”, ka thënë Deliu-Kodra.