Deliu: Fryma dhe atmosfera armiqësore e krijuar ndaj çdo pjesëtari të UÇK-së është e qëllimshme
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit ndaj UÇK-së, konkretisht ndaj rastit të ish-kryetarit të OVLUÇK-së Faik Fazliut.
Deliu përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se cilësimet si “kurvar” dhe bandit, për një invalid të luftës së UÇK-së, nuk janë as rastësi e as risi.
“Janë në vazhdën e narratives së ndërtuar nga Vetëvendosje për të shembur historinë më krenare të popullit të Kosovës. Historinë ku protagonistët e kësaj partie ndjehen të turpëruar”, ka shkruar deputetja Deliu.
Ajo ka theksuar se policia ka qenë dhe duhet të mbes institucion i besueshëm te qytetarët. “Ajo nuk guxon të ndikohet as nënshtrohet ndaj çfarëdolloj presioni politik”, ka shkruar Deliu.
Postimi i plotë i saj:
Fryma dhe atmosfera armiqësore e krijuar ndaj çdo pjesëtari të UÇK-së dhe gjithçka përfaqëson UÇK-ja është e qëllimshme dhe përkon me të njëjtin perceptim të manipuluar se për 22 vjet çlirim Kosova ka zhvilluar vetëm krim dhe korrupsion duke e konkluduar një shtet të dështuar.
Cilësimet si “kurvar” dhe bandit, për një invalid të luftës së UÇK-së, nuk janë as rastësi e as risi. Janë në vazhdën e narratives së ndërtuar nga Vetëvendosje për të shembur historinë më krenare të popullit të Kosovës. Historinë ku protagonistët e kësaj partie ndjehen të turpëruar.
Policia ka qenë dhe duhet të mbes institucion i besueshëm te qytetarët! Ajo nuk guxon të ndikohet as nënshtrohet ndaj çfarëdolloj presioni politik. Pres nga Inspektorati i Policisë të hetojë në mënyrë profesionale veprimin e policisë ndaj invalidit të luftës së UÇK-së, Faik Fazliut, për të sjellë drejtësi dhe për të rikuperuar besimin në Policinë e Republikës së Kosovës.