Deliu: I vetmi shqetësim për BE-në duhet të ishte izolimi që po u bëhet qytetarëve të Kosovës
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka reaguar ndaj komisionerit për Fqinjësi dhe Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi i cili paralajmëroi një udhërrëfyes shtesë për Kosovën rreth liberalizimit të vizave.
Përmes një statusi në “Facebook”, Deliu ka potencuar se Kosova ka përmbushur në përpikëri 95 kriteret e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave.
“Përveq kësaj, lista e kritereve të vendosura për Kosovën, ishte ndër listat më të gjata me obligimet që ne i morëm përsipër, për ti përmbushur. Kaq vite pas, në vend të lirisë së lëvizjes për kosovarët, edhe më tutje ka kërkesa absurde nga BE-ja për një udhërrëfyes të ri, për ‘shqetësime specifike’”, ka shkruar Deliu.
Ajo ka thënë se i vetmi shqetësim për Bashkimin Evropian sot do të duhet të ishte izolimi që po u bëhet qytetarëve të Kosovës dhe humbja e kredibilitetit të vet BE-së.
Kujtojmë se gjatë një debati të zhvilluar të hënën në Parlamentin Evropian, komisioneri Varhelyi ka paralajmëruar një udhërrëfyes shtesë për Kosovën, për t’i adresuar, siç tha “shqetësimet specifike” të disa vendeve.
Njoftimi i plotë:
Udhërrëfyesi i Ri për Kosovën
Katër vite më parë, përmbushi në përpikëri 95 kriteret e udhërrëfyesit për liberalizim. Përveç kësaj, lista e kritereve të vendosura për Kosovën, ishte ndër listat më të gjata me obligimet që ne i morëm përsipër, për ti përmbushur.
Kaq vite pas, në vend të lirisë së lëvizjes për kosovarët, edhe më tutje ka kërkesa absurde nga BE-ja, për një udhërrëfyes të ri, për “shqetësime specifike”.
I vetmi shqetësim për BE , sot do të duhet të ishte izolimi që po u bëhet qytetarëve të Kosovës, dhe humbja e kredibilitetit të vet.