Deliu-Kodra: Bislimi duhet t’u tregojë qytetarëve çfarë kanë biseduar me Lajçakun në Bruksel
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të tregojë se çfarë ka biseduar të martën në takim me emisarin e BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak në Bruksel.
Ajo ka thënë se uron që në këtë takim nuk është diskutuar për hapjen e urës së Ibrit, sepse sipas saj, do të ishte cenim i sovranitetit dhe Kushtetutës.
“Sot dhe asnjë ditë më vonë, zëvendëskryeministri Bislimi duhet t’u tregoj qytetarëve për çfarë kanë biseduar me emisarin Lajçak dje në Bruksel. Uroj që hapjen e urës së Ibrit nuk e kanë shtruar si temë diskutimi me palën serbe. Ky cenim i sovranitetit dhe kushtetutës tonë, do të ishte i papranueshëm. Zëvendëskryeministër, dil sot edhe fol!”, ka shkruar Deliu-Kodra në “Facebook”.