Deliu-Kodra: Gërvalla po e sulmon UÇK-në me argumente të Serbisë
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka akuzuar ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, se është duke e sulmuar UÇK-në me narrativë të Serbisë.
Ajo ka thënë se Gërvalla është duke përfaqësuar interesa të tjera, me apo pa vetëdije.
“Një zyrtare e lartë shtetërore që në Këshillin e Sigurimit mbështet publikisht shpifjen serbe se Gjermania ka kryer gjenocid ndaj serbëve dhe ne arenën ndërkombëtare përhapë po ashtu propagandën serbe se UÇK-ja në radhë të parë, ka bërë krime ndaj shqiptarëve duke ‘argumentuar’ narrativen e Serbisë për UÇK-në si një organizatë terroriste, dihet mirëfilli se çfarë interesash përfaqëson, me apo pa vetëdije”, ka shkruar Deliu-Kodra në llogarinë e vet në “Facebook”.
Në drejtim të kryediplomates së Kosovës ditëve të fundit ka pasur shumë reagime. Gërvalla disa vite më parë kishte thënë se sapo të formohej Gjykata Speciale, do ta ndihmonte me materiale kundër, siç thoshte ajo, ‘kokave të organizatës kriminale: Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit’.