Deliu-Kodra i reagon Borrellit: S’i pranojmë këshillat e dikujt që na mohon shtetësinë
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Blerta Deliu, i ka reaguar shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrel, i cili ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të veprojnë në përputhje me angazhimin e BE-së dhe në përputhje me aspiratat e tyre evropiane.
Ajo ka thënë që Kosova nuk i pranon këshillat e dikujt që e mohon pavarësinë e saj.
“Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell duhet ta kuptojë që Kosova nuk pranon këshilla nga mohuesit e pavarësisë dhe shtetësisë së saj. Ai po bëhet pjesë e kampanjës së Daçiqit për të dëmtuar njohjet e Kosovës dhe ky qëllim po i lexohet lehtë. Borrell po gabohet kur po e konsideron Kosovën aq naive sa të ndjek rekomandime për zvogëlimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar dhe aq më pak të cenojë miqësinë me ShBA-të mbi këshillat e tij. Lidhja dhe ndërtimi i marrëdhënieve diplomatike është vullnet reciprok mes shteteve të pavarura dhe nëse Borrell dëshiron të ndihmojë në këtë drejtim bën mirë ta këshillojë Serbinë të hap Ambasadën e vet në Kosovë”, ka shkruar ajo në llogarinë e vet në “Facebook”.
Në ndërkohë Borrelli në përgjigje të një pyetje parlamentare, ka thënë se pret që Kosova dhe Serbia të veprojnë në përputhje me angazhimin e BE-së dhe në përputhje me aspiratat e tyre evropiane.
“Pozicioni i gjatë i BE-së është se negociatat duhet të gjejnë një mënyrë për të zgjidhur statusin e Jerusalemit si kryeqyteti i ardhshëm i të dy vendeve dhe se aspiratat e të dy palëve duhet të përmbushen”, ka thënë Borrelli, duke shtuar se “çështja e Jerusalemit është një çështje e statusit përfundimtar”.
“Në përputhje me Rezolutën 478 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1980, e cila u bën thirrje të gjithë anëtarëve të OKB-së të transferojnë ambasadat e tyre në Tel Aviv, të gjitha ambasadat e vendeve anëtare të BE-së, si dhe Delegacioni i BE-së në Izrael, janë të vendosura në Tel Aviv”, është shprehur Borrelli.
Ai ka kujtuar se Kosova dhe Serbia e shohin integrimin në BE si aspiratë të tyre strategjike.
“BE pret që të dy vendet do të veprojnë në përputhje me këtë angazhim”, tha kreu i diplomacisë së BE-së./Gazeta Express/