Deliu-Kodra: Kosova do të jetë pjesë e strategjisë së zgjerimit të BE-së

31 janar 2018 | 16:52

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se Kosova do të jetë pjesë e strategjisë së zgjerimit të Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka theksuar se për perspektivën e shteteve të Ballkanit Perëndimor ka një angazhim të shtuar edhe nga ana e Bullgarisë, e cila udhëheq aktualisht presidencën e Bashkimit Evropian.

“Strategjia e Zgjerimit e Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor synon të ofrojë një perspektivë të qartë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke pasur parasysh se Kosova është pjesë përbërëse e Ballkanit Perëndimor dhe duke pasur parasysh angazhimin e institucioneve tona për përmbushjen e kritereve me qëllim të avancimit të procesit të integrimit, besoj dhe pres që edhe Kosova do të jetë pjesë e kësaj strategjie. Po ashtu, për perspektivën e shteteve të Ballkanit Perëndimor ka një angazhim të shtuar edhe nga ana e Bullgarisë, e cila nga fillimi i këtij viti ka marrë udhëheqjen e presidencës së Bashkimit Evropian”, është shprehur ajo, duke shtuar se me qëllim të arritjes së një perspektive të qartë evropiane, institucionet e vendit duhet të angazhohen në lobim tek shtetet të cilat po paraqesin problem në procesin e integrimit, posaçërisht tek pesë shtetet të cilat s’e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

“Tani më të gjithë e dimë qëndrimin politik të Spanjës në raport me Kosovën, sidomos tash pas zhvillimeve jo fort të largëta që ishin në Spanjë lidhur me referendumin për pavarësi nga ana e Katalonisë. Por, shpresoj shumë se do të gjendet një mundësi për ta tejkaluar këtë situatë, me angazhimin e shteteve të tjera të Bashkimit Evropian të cilat janë të prera, se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë perspektivë të qartë evropiane”, ka deklaruar Deliu-Kodra.

Ndërsa sa i përket liberalizimit të vizave, ajo ka shprehur optimizëm se institucionet e Kosovës shumë shpejt do t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme me qëllim të përmbushjes së kritereve të mbetura, në mënyrë që të arrihet treni i fundit në këtë proces.

“E kemi të gjithë të qartë se cilat janë kriteret e papërfunduara nga ana e institucioneve tona për procesin e liberalizimit të vizave. Shpresoj se ne shumë shpejt do t’i ndërmarrim veprimet e nevojshme me qëllim të përmbushjes së kritereve të mbetura, në mënyrë që ta zëmë trenin e fundit në këtë proces. Me një angazhim maksimal tonin për realizimin e kërkesave, besoj se do të dëshmojmë se jemi të gatshëm të fitojmë në këtë proces”, ka thënë Deliu-Kodra.

“Epoka e re”: Znj. Deliu-Kodra, së shpejti pritet të publikohet Strategjia e Zgjerimit të Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Do të jetë pjesë e kësaj strategjie edhe vendi ynë?
Deliu-Kodra: Strategjia e Zgjerimit e Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor synon të ofrojë një perspektivë të qartë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke pasur parasysh se Kosova është pjesë përbërëse e Ballkanit Perëndimor dhe duke pasur parasysh angazhimin e institucioneve tona për përmbushjen e kritereve me qëllim të avancimit të procesit të integrimit, besoj dhe pres që edhe Kosova do të jetë pjesë e kësaj strategjie. Po ashtu, për perspektivën e shteteve të Ballkanit Perëndimor ka një angazhim të shtuar edhe nga ana e Bullgarisë, e cila nga fillimi i këtij viti ka marrë udhëheqjen e presidencës së Bashkimit Evropian.

“Epoka e re”: Të martën është raportuar se Spanja ka kundërshtuar përfshirjen e Kosovës në këtë dokument dhe, po sipas këtyre raportimeve, Kosova nuk do të jetë e përfshirë në strategjinë e BE-së?
Deliu-Kodra: Tani më të gjithë e dimë qëndrimin politik të Spanjës në raport me Kosovën, sidomos tash pas zhvillimeve jo fort të largëta që ishin në Spanjë lidhur me referendumin për pavarësi nga ana e Katalonisë. Por, shpresoj shumë se do të gjendet një mundësi për ta tejkaluar këtë situatë, me angazhimin e shteteve të tjera të Bashkimit Evropian të cilat janë të prera se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë perspektivë të qartë evropiane.

“Epoka e re”: Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, ka bërë me dije se Kosova e ka humbur tani për tani trenin për liberalizimin e vizave. Dhe, sipas tij, viti 2019 do të jetë edhe më i ndërlikuar. Qëndron ky konstatim i tij?
Deliu-Kodra: E kemi të gjithë të qartë se cilat janë kriteret e papërfunduara nga ana e institucioneve tona për procesin e liberalizimit të vizave. Shpresoj se ne shumë shpejt do t’i ndërmarrim veprimet e nevojshme me qëllim të përmbushjes së kritereve të mbetura, në mënyrë që ta zëmë trenin e fundit në këtë proces. Me një angazhim maksimal tonin për realizimin e kërkesave, besoj se do të dëshmojmë se jemi të gatshëm të fitojmë në këtë proces.

“Epoka e re”: Cilat janë masat urgjente që duhet t’i marrin institucionet në mënyrë që Kosova të ketë perspektivë të qartë evropiane si dhe ta fitojë liberalizimin e vizave?
Deliu-Kodra: Me qëllim të arritjes së një perspektive të qartë evropiane, ne duhet të angazhohemi në lobim tek shtetet të cilat po paraqesin problem në procesin e integrimit të Kosovës, posaçërisht tek pesë shtetet të cilat s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, konsideroj se duhet angazhim më i madh i të gjitha institucioneve për përmbushjen e obligimeve në procesin e integrimit. Ndërsa sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, konsideroj se institucionet tona duhet sa më shpejt t’i përfundojnë obligimet e tyre me qëllim të përmbushjes së kritereve të mbetura.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i Hollivudit, Angelina Jolie, njëherësh e dërguar speciale e…