Deliu-Kodra: Kurti këto marrëveshje i kishte shndërruar në kauzë për pushtet
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me marrëveshjen e fundit mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo ka thënë se Albin Kurti po tregohet jashtëzakonisht fleksibil në rikonfirmimin e marrëveshje të dakorduara gjatë qeverisjeve të kaluara.
Gjatë ditës së djeshme u bë e ditur nga përfaqësuesi i politikës së jashtme të BE’së, Josep Borell se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për letërnjoftimet. Megjithatë, pastaj u publikua dokumenti ku shihej se ishte një marrëveshje pothuajse e njëjtë sikur me atë të vitit 2011 të nënshkruar nga ish-kryenegociatorja, Edita Tahiri.
Deliu thotë se kryeministri i tanishëm i Kosovës gjatë kohës sa kishte qenë në opozitë për të arritur në pushtet i ka kritikuar marrëveshjet e arritura nga ish-qeverisjet e kaluara.
”Kryeministri Kurti po tregohet jashtëzakonisht fleksibil në rikonfirmimin e marrëveshjeve të dakorduara mes Kosovës e Serbisë gjatë qeverisjeve të kaluara, të cilat i kishte shndërruar në kauzë për pushtet pa zgjedh mjet e metodë sulmi ndaj institucioneve shtetërore,” shkruan ajo.
Më tutje, deputetja pretendon se në politikat e brendshme i pari i ekzekutivit nuk po dëshiron të gjejë një gjuhë të përbashkët bashkëpunimi.
”Por, vazhdon të mbetet i ngurt ndaj çdo propozimi argumentues nga opozita për tejkalimin e krizave të brendshme ekonomike e sociale. Kjo tregon shumë se ku qëndron lojaliteti kompromisës i tij!,” përfundoi ajo.